Menaxhim

Drafti i rishikuar i kanabisit mjekësor: Rritet sipërfaqja e tokës për kultivim

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria njoftoi dje se drafti për kultivimin e kanabisit mjekësor është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe është gati për tu shqyrtuar në komisione, duke i hapur rrugë miratimit final.

Dokumenti i sapopublikuar pas rishikimeve të draftit fillestar është më i detajuar, por me pothuajse aspak ndryshime. I vetmi ndryshim në kritere është zgjerimi i hapësirës ku mund të kultivohet. Fillimisht, qeveria përcaktonte se kanabisi mund të kultivohet në një territor deri në 150 ha dhe tashmë është vendosur në 200 ha, në nivel kombëtar.

Për çdo licensë të dhënë, mund të shfrytëzohet 5-10 ha tokë.

Kriteret e licensimit

Kriteri i parë është që kompania duhet të të ketë eksperiencë 3-vjeçare në kultivimin, prodhimin, përpunimin, qarkullimin dhe administrimin e bimës së kanabisit. Automatikisht, do të jenë kompani të huaja ato që do të mund të operojnë. Kompania ose aksioneri me 51% të aksioneve të shoqërisë duhet të jetë ushtrues i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së kanabisit në një nga 38 vendet pjesë të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik për të paktën 5 vite. Subjekti duhet të jetë i pajisur me certifikatë të paktës së mirë të prodhimit lëshuar nga Agjencia Europiane e Barnave Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat.

Kompania që aplikon duhet të ketë një kapital jo më të vogël se 100.000.000 lekë.

Më pas ato duhet të të paraqesin planin e zhvillimit të biznesit, modelin e kultivimit dhe qëllimin e kultivimit si dhe sipërfaqen minimale dhe maksimale të njësisë së zhvillimit. Duhet të paraqesin planin e përpunimit të mjediseve për tharjen, prerjen dhe magazinimin e kanabisit. Planin e sigurisë për sipërfaqen për kultivim dhe përpunim e kanabisit duke përcaktuar elementët e mbrojtjes, rrethimit, sigurinë me telekamera dhe sigurimi fizik për 24 orë.

Për t’u pajisur me licencë, sipas ligjit subjekti, administratori, anëtarët e organeve drejtuese, ortakët apo aksionarët nuk duhet të jenë në ndjekje penale apo në në gjykim për ndonjë vepër penale. Në raste shkeljesh edhe penalitetet janë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë, si dhe ndalimi i përkohshëm i kryerjes së veprimtarisë për një periudhë nga 6 muaj deri në 3 vjet. Ministri përgjegjës për shëndetësinë vendos për shfuqizimin e licencës nëse subjekti shkel në mënyrë të përsëritur kushtet e licencës, legjislacionin në fuqi për ushtrimin e aktiviteteve, për të cilat është licencuar, nuk fillon zhvillimin e aktivitetit brenda një afati prej 12 muajsh nga miratimi, nëse subjekti e ka marrë licencën nëpërmjet mashtrimit apo deklarohet i falimentuar.

Komisioni

Pranë Agjencisë Kombëtare për Kontrollin e kanabisit ngrihet Komisioni i Licencave për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave të paraqitura për marrjen e licencës për kultivimin e cannabis-it për qëllime mjekësore. Komisioni ka 7 anëtarë:

a) 3 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë;
b) 1 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike;
c)  2 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për bujqësinë;
ç) 1 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për ekonominë.

Kryetari i Komisionit është njëri nga përfaqësuesit e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë. Emrat nominalë të anëtarëve të Komisionit të Licencave caktohen me urdhër të ministrave përkatës. Ata mund të caktojnë të caktojnë si anëtarë persona që ushtrojnë funksione publike që kanë lidhje me funksionin dhe detyrat e këtij Komisioni dhe kanë jo më pak se 5 vite përvojë pune. Anëtarët e Komisionit caktohen për një periudhë deri në 4 vjet. Ata do kenë detyrim që të nënshkruajnë deklaratën e konfidencialitetit, deklaratën e mungesës së konfliktit të interesit si dhe duhet të jenë të pajisur me certifikatën e sigurisë nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

Rregullimi fiskal

Mes kritereve për të aplikuar për licencë është vetëdeklarimi për punësimin për të paktën dhjetë persona, të paraqesë vetëdeklarim për punësimin për të paktën 10 persona për çdo njësi, 2 prej të cilëve duhet të jenë punonjës të kualifikuar në fushën e farmacisë dhe agroinxhinierisë, me përvojë pune jo më pak se 3 vjet në fushën përkatëse. Kriter është edhe vetëdeklarimi për gatishmërinë për të lidhur marrëveshje me strukturën përgjegjëse të ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike për të garantuar aksesin për inspektim si dhe vetëdeklarim se do të fillojë ushtrimin e veprimtarive të përshkruara në licencën e brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit.

Subjektet duhet të bëjnë një vetëdeklarim se pas vitit të tretë do të paguajë një tarifë vjetore të barabartë me 1.5 % të qarkullimit vjetor, por në çdo rast, jo më pak se 10,000,000 lekë. Subjektet duhet të paraqesin garanci bankare në masën 10% të vlerës së investimit, si edhe të paraqesin vetëdeklarim se do të plotësojë të gjitha kërkesat për gjurmueshmërinë, sipas përcaktimeve të këtij ligji.


Licenca jepet për një periudhë 15-vjeçare. Kërkuesi, për t’u pajisur me licencë, paguan në momentin e paraqitjes së kërkesës një tarifë e cila është e pakthyeshme. Masa e tarifës, procedura dhe mënyra e përdorimit të kësaj tarife përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Çdo 3 vjet, kushtet e licencës rivlerësohen nga Agjencia, e cila, nëse konstaton mospërmbushjen e kushteve dhe kritereve, propozon, sipas rastit, pezullimin ose shfuqizimin e licencës apo i kërkon subjektit plotësimin e kushteve brenda një afati 30-ditor. Jo më vonë se 6 muaj përpara përfundimit të afatit të vlefshmërisë së licencës subjekti mund të kërkojë rinovimin e saj kur provon se plotëson kushtet e pajisjes me licencë, sipas përcaktimeve të këtij ligji. 

Shkeljet dhe abuzimet

Kur nuk përbëjnë vepër penale, shkeljet e dispozitave të këtij ligji përbëjnë kundërvajtje administrative dhe do të dënohen me një gjobë deri në masën 5.000.000 (pesë milionë) lekë. Kjo do të thotë, pra, që prodhimi dhe tregtimi jashtë sistemit (nëse nuk je i licencuar sipas këtij ligji), do të vazhdojë të konsiderohet vepër penale.

Dispozitat:
1.Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë vijon:
a)me gjobë nga 500 000 (pesëqind mijë) deri në masën 1 000 000 (një milion) lekë, nëse subjekti i licencuar apo i lejuar:
i. përdor barna narkotike dhe lëndë psikotrope, në kundërshtim me kushtet e përcaktuara me këtë ligj;
ii. reklamon në mënyrë direkte apo indirekte të gjitha veprimtaritë në lidhje me bimën e cannabis-it për qëllime mjekësore;
iii. kryen shitje në territorin e Republikës së Shqipërisë të bimës së cannabis-it mjekësor apo nënprodukteve të saj apo produkteve përfundimtare;
iv. nuk zbaton masat e dhëna nga Agjencia në lidhje me ushtrimin e veprimtarisë së licencuar apo të lejuar;
v. pengon procesin e marrjes së mostrave, sipas parashikimeve të nenit 36, të këtij ligji;
vi. tejkalon afatin e caktuar për grumbullimin e sasive të prodhuara të masës së fituar të thatë të cannabis-it për qëllime mjekësore;
vii. nuk përmbush detyrimet në lidhje me njoftimin e ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë dhe të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë për çdo gjendje që tregon dyshim se cannabis-i ose pjesë të bimëve të saj janë përdorur ose do të mund të përdoren për prodhimin e lëndëve narkotike dhe psikotrope;
viii. nuk përmbush detyrimet në lidhje me mbajtjen e regjistrit për sasinë e prodhuar dhe atë të blerë të cannabis-it për qëllime mjekësore dhe/ose industriale apo nuk dorëzon raportin brenda afateve ligjore tek autoritetet mbikëqyrëse;

b) me gjobë nga 1 000 000 (një milion) deri në masën 3 000 000 (tre milionë) lekë, nëse subjekti i licencuar apo i lejuar:
i.nuk zbaton kushtet në lidhje me transportin e bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore gjatë transportit apo kushtet për ruajtjen e paketimit original;
ii.nuk respekton rregullat në lidhje me planin e përpunimit dhe zhvillimit të prodhimit;
iii.nuk respekton rregullat në lidhje me planin e sigurisë, përfshirë përcaktimin e elementeve të mbrojtjes, rrethimit, sigurisë me telekamera dhe sigurisë fizike; 
iv.nuk respekton rregullat në lidhje me shenjimin apo gjurmimin.

c)me gjobë nga 3 000 000 (tre milionë) deri në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë, nëse subjekti i licencuar apo i lejuar:
i.fsheh ose falsifikon dokumentet, duke mbjellë dhe administruar sipërfaqe më të mëdha me cannabis mjekësor ose industrial ose kur regjistrimin e sipërfaqeve nuk e ka kryer brenda afatit të parashikuar;
ii.nuk deklaron sipërfaqet në të cilat kultivon cannabis për qëllime mjekësore dhe/ose cannabis për qëllime industriale;
iii.eksporton nënprodukte ose produkte përfundimtare në sasi të ndryshme nga ajo e deklaruar, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
iv.raporton në mënyrë të rremë të dhënat, për efekt të plotësimit të regjistrave, të parashikuara në këtë ligj;
v.kryen procese për të cilat nuk është i licencuar, i lejuar apo autorizuar;
vi.vazhdon aktivitetin edhe pas përfundimit të afatit të licencës apo lejes;
vii.pengon, shmang mbikëqyrjen apo verifikimin në lidhje me shenjimin dhe gjurmimin;
viii.kultivon, prodhon, përpunon, furnizon, tregton, mban, transporton bimë, fara, produkt me lëndë narkotike ose psikotrope të pashenjuar, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 33 për shenjimin dhe gjurmimin.

2. Krahas gjobës së parashikuar në pikën 1, të këtij neni, personit juridik mund t’i caktohet si sanksion edhe ndalimi i përkohshëm i kryerjes së veprimtarisë për një periudhë nga 6 muaj deri në 3 vjet.

3. Kundërvajtjet administrative, sipas parashikimeve të këtij ligji, konstatohen dhe sanksionohen nga Agjencia. 

4. Në kushtet e konstatimit të shkeljeve të Kodit Penal, Agjencia raporton, në zbatim të parashikimeve të Kodit Penal, pranë autoriteteve përkatëse sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale.

5. Të ardhurat nga gjobat derdhen 100% në buxhetin e shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë