Menaxhim

Drafti i ri i qeverisë/ Jepen me përshpejtim lejet e ndërtimit për investitorët strategjikë dhe ato në bregdet

Nga Gazeta ‘SI’ - Një draft i ri ka mbërritur për konsultim publik, me ndryshime në ligjin e planifikimit të territorit, propozuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Një nga ndryshimet që propozohet aty është përshpejtimi i lejeve që jepet për investimet strategjike dhe ato brenda brezit bregdetar.

“Në varësi të llojit dhe volumit të investimeve, prioriteteve të zhvillimit vendor apo kombëtar apo zbatimit të lejeve të mëparshme të ndërtimit në mënyrën dhe afatet e caktuara, autoritetet e zhvillimit të territorit mund të parashikojnë procedura të përshpejtuara apo incentiva zhvillimi për investitorë apo aplikime të caktuara. Në rastet objekt shqyrtimi pranë KKTU-së, procedura e përshpejtuar mund të aplikohet, sipas rregullave të detajuara në Rregulloren e Zhvillimit të Territorit, për: Investime strategjike; Zhvillime komplekse brenda Brezit Bregdetar”, thuhet në draft.

Propozimi vjen pas një konflikti të gjatë të qeverisë me opozitën, ku kjo e fundit ka kërkuar edhe ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike.

Demokratët nuk janë të vetmit të shqetësuar nga investimet strategjike në vend.

Në fund të vitit të shkuar, FMN i rekomandoi qeverisë shqiptare që të shtojë rolin e Ministrisë së Financave në kontratat e investitorëve strategjikë dhe PPP-ve.

Dhomat e biznesit në vend, përfshirë atë Amerikane dhe Konfindustria, kanë kritikuar poashtu këtë ligj, duke thënë se lë hapësira për abuzim dhe ka favorizuar persona me lidhje politike.   

Ligji për investimet strategjike është miratuar në vitin 2015 si një ligj i përkohshëm për të ofruar mbrojtje të barabartë si për investitorët vendas, ashtu edhe për ata të huaj. Ideja ishte që ligji të qëndrojë në fuqi deri kur të përfundojë ligji i ri për investimet.

Por, që prej asaj kohe ligji është shtyrë me tre herë dhe pritet të përfundojë këtë dhjetor. Pak kohë më parë, ministri i ri i Financave, Ervin Mete tha se po përgatitet një ligj i ri por pa përmendur afate.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë