Menaxhim

Drafti i qeverisë / Zonat e gjuetisë me koncesion

Nga Gazeta ‘SI’ – Zonat e gjuetisë do të jepen me koncesion, sipas një drafti të fundit në konsultim nga ministria e Mjedisit.

Duke paguar një qira në shtet, subjektet private mund të marrin në administrim zonën e gjuetisë për minimumi 10 vjet. Qeveria e quan këtë “menaxhues të zonës”, një koncept i ri që do të garantojë funksionimin e veprimtarisë së gjuetisë.

“Zonat e gjuetisë mund t’i jepen subjekteve private me anë të një procedure konkurrimi dhe për një afat jo më pak se 10 vjet, kjo për arsyen se sipas ekspertëve të fushës së gjuetisë, duhen të paktën 5 vjet për të përgatitur gjahun. Subjekti fizik ose juridik do të jetë njëkohësisht dhe menaxhuesi i zonës. Vlera fillestare për qiranë e zonës së gjuetisë përcaktohet sa 50% e vlerës së gjuetisë vjetore të kafshëve të egra, të planifikuara sipas planit të përdorimit të llojeve të zonës së gjuetisë, të llogaritura sipas çmimit të tregut. Vlera fillestare për qiranë e zonës së gjuetisë shërben si çmim dysheme për personat që do të marrin pjesë në konkurrimin publik,” thuhet në projektligj.

Subjektet private do ta shfrytëzojnë zonën sipas ligjit të gjuetisë.

Zonat do të shpallen me vendim të Këshillit të Ministrave. Zona e gjuetisë krijohet në sipërfaqe jo më të vogla se 500 hektarë, ndërsa zona për kultivimin e llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, krijohet në sipërfaqe jo më të vogla se 50 ha. Me miratimin e zonave të lejuara të gjuetisë do të përjashtohet gjuetia në pjesën tjetër të territorit të Shqipërisë.  

Ministria thekson se gjuetarët do të kalojnë testet specifike ku të pasqyrojnë njohuritë mbi faunën në territorin e Republikës së Shqipërisë. Testimi i gjuetarëve propozohet të kryhet nga një komunitet ndërinstitucional me pjesëmarrës nga ministria, shoqatat e gjuetarëve, strukturave universitare të biologjisë  ndërsa licencimi i tyre propozojmë të bëhet nga Ministria. Gjoba në zbatim të këtij ligji përbën titull ekzekutiv .


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë