Njerez

Drafti i Berishës/ Gjinia nuk ndryshohet edhe pas operacioneve. Ligjet aktuale s’e kufizojnë ndryshimin e gjinisë

Nga Gazeta ‘SI’ – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka depozituar në Kuvend, draftin për disa shtesa në ligjin e “Gjendjes Civile”.

Ashtu siç paralajmëroi edhe gjatë takimit me mediat, në draft, Berisha kërkon të njihen vetëm dy gjini në Shqipëri dhe të ndalohet ndryshimi i tyre në dokumente.

“Në Republikën e Shqipërisë në kuptimin e këtij ligji ka vetëm dy gjini njerëzore, gjinia mashkull dhe gjinia femër dhe mbeten të pandryshueshme gjinia e përcaktuar ligjërisht që me aktin e lindjes”, thuhet në draft.

Projektligji thekson se gjini biologjike nuk mund të ndryshohet edhe nëse kryhen ndërhyrje mjekësore.

Në dokumentin që mban firmën e të gjithë deputetëve demokratë argumentohet se ligji synon të mbrojë shenjtërinë dhe vlerën e familjes tradicionale në një kohë kur ajo po kërcënohet nga norma  që tentojnë ta shtrembërojnë atë.  

Po ashtu, thuhet se ndryshim është i nevojshëm pasi ligjet në fuqi nuk kufizojnë mundësinë e ndryshimit të gjinisë dhe se nuk ka një përkufizim të qartë të ndalimit të këtij fenomeni.

“Aktualisht në legjislacionin kombëtar, nuk ka një përkufizim të qartë të njohjes dhe garantimit të pandryshueshmerisë së gjinisë biologjike të individëve që prej lindjes, por nisur nga tentativa të njëpasnjeshme të grupeve apo individëve të cilët kërkojnë t’i imponohen shoqërisë norma apo vlera të cilat janë të pabazuara shprehimisht në ligj, por dhe nuk kufizohen apo sanksionohen ndryshe, mund të krijojnë premisat të cilat sjellin më pas pasoja të renda ndaj shenjtërisë së familjes tonë tradicionale, si dhe jetesën e çdo individi në shoqërinë tonë”, shkruhet në projektligjin ku ripërsëritet disa herë se fokusi është mbrojtja e të rinjve dhe të miturve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë