Nga Gazeta ‘SI’ – Ashtu siç ishte paralajmëruar, Autoriteti I Mbikëqyrjes Financiare ka përgatitur draftin për trgeun e kriptomonedhave në Shqipëri.
Dokumenti në konsultim ka për qëllim të ligjërojë tregtimin e kriptove dhe të përcaktojë ofruesit e këtij shërbimi.
Tregtimi i një kripto-aseti mund të bëjë çdo subjekt i autorizuar dhe është i detyruar të jetë person juridik brenda ose jashtë Shqipërie dhe duhet të njoftojë AMF-në me anë të një deklarate. Deklarate duhet të përmbajë informacione rreth ofertuesit, detaje nga projekti dhe risqet që mund të burojnë nga ky aktivitet, përfshirë paralajmërimin për rrezikun e humbjeve.
Ligji thotë se nuk ka nevojë për deklarimet e mësipërme nëse subjekti ofron shërbim për më pak se 150 individë dhe që qarkullon deri në 1 milionë euro në vit. Po ashtu, investitorët individë profesionistë nuk e deklarojnë.
Draftligji vendos një mekanizëm të rëndësishëm mbrojtës për investitorët jo-profesionistë. Çdo klient që blen një kripto-aset ka të drejtë të tërhiqet nga marrëveshja brenda 14 ditëve, pa asnjë penalitet, tarifë apo kosto shtesë.
Rimbursimi duhet të kryhet brenda 14 ditëve nga momenti kur investitori njofton vendimin e tërheqjes.
AMF është institucioni përgjegjës për të mbikëqyrur dhe licencuar ofruesit e shërbimeve, si dhe monitoron tregun. Banka e Shqipërisë autorizon emetuesit e monedhave digjitale dhe vepron si autoritet monetar.
Në raste të mashtrimit, abuzimit apo përfitimit të padrejtë, subjektet mund të gjobiten deri në 15 mln euro dhe t’u ndalohet përkohësisht aktiviteti.
Projektligji është një hap thelbësor për Shqipërinë në drejtim të modernizimit ekonomik dhe rritjes së sigurisë financiare. Për vite me radhë, tregu i kriptomonedhave ka vepruar në një hapësirë të paqartë ligjore, duke krijuar rreziqe të mëdha për konsumatorët dhe duke penguar investimet serioze në teknologjitë e reja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



