Politike

Drafti / Cilat kategori përfitojnë nga amnistia dhe debati nëse falen zyrtarët e dënuar nga GJKKO

Nga Gazeta Si - Përmbajtja e amnistisë penale pati një debat në thelb të enjten, dhe ajo lidhej me faktin se cilat kategori përfitonin, me saktë a përfshihen edhe personat e dënuar, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurës Penale.

Në draftin aktual përjashtohen vetëm subjektet e veçanta që në këtë rast janë deputete dhe ministra.

Gazment Bardhi tha me herët se nuk përfiton asnjë zyrtar i dënuar nga GJKKO.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe ministri Ulsi Manja. Ndërsa Lulzim Basha tha se nga ky dokument përfitojnë kategoritë e tjera poshtë në nivel e drejtori.

Enkelejd Alibeaj në anën tjetër depozitoi një amendament për të përjashtuar të gjithë ata që ishin dënuar nga GJKKO

Nenet debatuese dhe me bold ndryshimet e fundit  

Neni 2

Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

 1. “I dënuar” konsiderohet: a) personi i dënuar nga gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të  përgjithshëm dhe gjykatat e shkallës së parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe që, brenda afatit ligjor, nuk është bërë ankim në gjykatat përkatëse të apelit, duke marrë formë të prerë brenda datës  31.01.2024;

b) personi i dënuar deri në datën 31.01.2024 nga gjykatat e apelit të  juridiksionit të përgjithshëm dhe gjykata e apelit kundër korrupsionit dhe  krimit të organizuar;

c) personi i dënuar deri në datën 31.01.2024 kur Gjykata e Lartë ka  vendosur prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të  vendimit të gjykatës së shkallës së parë, si dhe personi i dënuar nga  Gjykata e Lartë, kur kjo gjykatë ka vendosur ndryshimin e vendimeve të  gjykatës së apelit dhe të gjykatës së shkallës së parë, deri në datën  31.01.2024

Neni 5

Kriteret për përfitimin e amnistisë nga zbritja e dënimit

1. Të gjithë personave të dënuar, të cilët nuk plotësojnë kriteret për t’u  përjashtuar nga vuajtja e dënimit, sipas nenit 3 të këtij ligji ose, edhe pse  plotësojnë kriteret për përfitimin e amnistisë sipas këtij neni, nuk përjashtohen  nga vuajtja e dënimit për shkak të kritereve ndaluese të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të nenit 4 të këtij ligji, u zbritet:

a) 1 vit e gjysmë nga dënimi i mbetur, për personat e dënuar, gra, dhe të mitur;

b) 1 vit nga dënimi i mbetur, për personat e dënuar, burra.

2. Pavarësisht nga parashikimet e pikës 1, të këtij neni, nuk përfitojnë zbritje të  dënimit: a) personat e dënuar me burgim për veprat penale të parashikuara në nenet  79, 79/a, 79/b dhe 79/c të Kodit Penal;

b) personat e dënuar me burgim të përjetshëm;

3. Nuk përfitojnë nga zbritja e dënimit personat, të cilët i janë shmangur drejtësisë,  sipas përcaktimit të pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji.

Neni 6

Kriteret për përfitimin e amnistisë nga ndjekja penale

1.Përjashtohen nga ndjekja penale të gjitha çështjet penale në hetim, çështjet  e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe kallëzimet që  ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat  penale të kryera deri në datën 31.01.2024, për të cilat Kodi Penal dhe Kodi  Penal Ushtarak parashikon një dënim me burgim në maksimum deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, me përjashtim të veprave të parashikuara nga nenet 91, 96, në paragrafin e dytë të nenit 112, në nenet 119, 119/a, 119/b, 120, 121, 122, në paragrafin e parë të nenit 124/b, në nenet 125, 127, 204, 205, 206, 207, në paragrafin e parë të nenit 257/a, në nenet 269 dhe 318 të Kodit  Penal”

2. Nuk përfitojnë nga ky nen personat të cilët i janë shmangur drejtësisë.

3. Nuk përfitojnë nga pika 1 e këtij neni subjektet e posaçme, akuzat penale ndaj  të cilave gjykohen nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar  sipas përcaktimeve të shkronjave “c” dhe “ç”, të nenit 75/a të Kodit të  Procedurës Penale

Propozimi i Enkelejd Alibeajt

Neni 3

Në nenin 5, bëhet shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:

1. Shtohet shkronja “c”, e pikës 2, si më poshtë:

“c. personat e dënuar, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas përcaktimeve të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë