Lajme

Draft-ligji i ri i sigurimeve, çfarë ndryshon për qytetarët dhe kompanitë

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar draftin e ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Por cilat janë risitë e tij për kompanitë, institucionet dhe qytetarët?

Më i rëndësishmi është sistemi bonus-malus, i cili synon të orientojë primin që paguan çdo qytetar sipas profilit të riskut. Kompanitë kufizohen tashmë në lojën e tyre me çmimet. Ato mund të ndryshohen deri në dy herë në vit.

Kur mjeti ndryshon pronësinë, kontrata e sigurimit nuk është e transferueshme, duhet ta bëni nga e para. Ndarja e përgjegjësive të Byrosë së Sigurimit dhe krijimi i Entit të Fondit të Kompensimit.

Cilat janë në fakt risitë që ka ky ligj dhe si pritet ta ndryshojnë ato tregun, marrëdhënien e kompanive me institucionet dhe çfarë ndryshon për qytetarët.

Sistemi Bonus-Malus, sërish në qendër të modelit

Logjika e sistemit bonus-malus është që pagesa e çdo primi sigurimi të bëhet sipas profilit të riskut që paraqet çdo drejtues mjeti. Risku më i lartë, ashtu si në modele tipike të kësaj natyre, u vishet atyre që marrin një leje qarkullimi për herë të parë, si dhe atyre që kanë një historik problematik, lidhur me aksidentet. Këto dy grupe do të paguajnë edhe çmime më të kripura.

 Kompanitë do të kufizohen nga loja me çmimet, ndryshim vetëm dy herë në vit

Që nga liberalizimi i tregut të sigurimit të detyrueshëm motorik, vendosja e një primi sigurimi u kthye në “pazar”. Në draft-ligjin e ri, AMF kufizon kompanitë që të mos e ndryshojnë çmimin më shumë se dy herë në vit, ndërkohë që risi është edhe kufizimi i shpenzimeve diçka që në ligjin në fuqi nuk e gjejmë. “Tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm nuk mund të ndryshohen më shumë se dy herë brenda një viti kalendarik. Shpenzimet e marrjes në sigurim, shpenzimet administrative, si dhe pjesa e llogaritur për fitimin e shoqërisë së sigurimit nuk mund të jenë më shumë se 40% i primit të shkruar bruto, nga të cilat komisionet e ndërmjetësimit të mos jenë më shumë se 12% e primit” thuhet në nenin 7 të ligjit, i cili analizon tarifën e primit të sigurimit të detyrueshëm.

Vendoset afat për pagesën e dëmshpërblimit, bëhet brenda 14 ditësh

Në rastet kur kompanitë bëjnë pranimin e një kërkese dëmshpërblimi ato duhet që ta trajtojnë atë brenda 30 ditësh, nëse është kërkesë për dëme pasurore dhe 90 ditë, për dëme pasurore. E reja në nenin 12, që lidhet me dëmshpërblimin, ka të bëjë me vendosjen e një afati për pagesën e dëmshpërblimit.

Po kështu një tjetër e re është edhe trajtimi që do t’ju bëhet kërkesave për dëmshpërblim në vlerë të vogël deri në 100 mijë lekë. Sipas draftit të AMF, kërkesat për dëmshpërblim për dëme ndaj pronës me vlerë deri në 100 000 lekë, do të paguhen nga shoqëritë e sigurimit brenda 14 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës për dëmshpërblim.

Kontratat e sigurimit, shtohen elementet përbërëse, dokument elektronik

Për herë të parë, kontrata e sigurimit del nga formati vetëm letër që lëshohet nga kompanitë e sigurimit, duke ju përshtatur zhvillimeve të teknologjisë dhe informacionit. Kjo do të thotë që kontrata ka vlerë edhe kur është dokument elektronik, sipas përcaktimeve të ligjit për nënshkrimin elektronik.

 Transporti publik, shtohet mbulimi për paaftësinë e përkohshme

Kompanitë e transportit publik të çdo natyre pra transport rrugor, ajror, detar kanë detyrimin e sigurimit përmes një kontrate. Sipas ligjit, detyrimi i shoqërisë së sigurimit që rrjedh nga kontrata e sigurimit, përfaqësohet nga kufijtë minimalë të mbulimit të vlefshëm në ditën e aksidentit, përveç rastit kur në kontratën e sigurimit përcaktohet një vlerë më e lartë.

Minimumi i shumës së siguruar për çdo pasagjer të mbuluar nga kontrata e sigurimit, në rast vdekjeje është 2 milionë lekë, ndërsa në rastin e paaftësisë së përhershme, 4 milionë lekë

 Ndryshimi i pronësisë së mjetit, siguracioni duhet bërë nga e para

Sot çdo pronar mjeti që vendos ta shesë atë, mund të transferojë pa problem edhe policën e sigurimit. Pronari i ri thjesht duhet të paraqitet pranë kompanisë që ka prerë këtë policë dhe të bëjë plotësimin me emrin e tij pa paguar asgjë shtesë. Kontrata e sigurimit është e transferueshme.

Me draftin e ri, kjo procedurë nuk do të jetë më e njëjtë. Sipas nenit të ri, që përcakton këtë aspekt, pronari i ri duhet të bëjë kontratë të re sigurimi për mjetin, kurse ai që e ka pasur deri dje i kthehen paratë për pjesën e mbetur të periudhës.

Si do funksionojë Qendra e Informacionit të Sigurimeve të Detyrueshme

Si ligji aktual, edhe drafti, parashikon mënyrën sesi funksionon Qendra e Informacionit, ku e siguron bazën e të dhënave lidhur me mjetet motorike në vend, të dhënat që merren nga shoqëritë e sigurimit, ruajtjen e tyre sipas parimeve që kërkon ligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Po kështu, qendra mbështetet financiarisht nga kompanitë e sigurimit.

Risia në dokumentin ende të pamiratuar është pjesa që lidhet me mundësinë e transferimit të qendrës nga autoriteti tek Enti i Fondit të Kompensimit.

Për herë të parë në draft përcaktohet edhe afati përgjatë të cilit kjo qendër mund të japë informacion për palë të dëmtuara dhe pjesëmarrësve në një aksident rrugor, që përfshin një periudhë 7-vjeçare pas aksidentit.

Fondi i Kompensimit “ikën” nga Byroja e Sigurimit

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka vendosur që të ndryshojë mënyrën sesi është konceptuar hallka që menaxhon Fondin e Kompensimit që paguhet nga kompanitë. Sot kjo hallkë është vetëm Byroja Shqiptare e Sigurimit që kryen funksionet e entit kompensues, për bërjen e pagesave të parashikuara në këtë ligj.

Draft-ligji i ri ka vendosur të heqë disa kompetenca nga Byroja duke krijuar një hallkë të re, që është Enti i Fondit të Kompensimit, i cili do të menaxhojë fondin e kompensimit, kurse Byroja do të vijojë të menaxhojë fondin e garancisë që lidhet me detyrimet e kartonit jeshil, pra policat kufitare. Ky fond me ligjin aktual për çdo kompani është jo më pak se 200 mijë euro. Kurse me draftin e ri, kufiri për çdo kompani për fondin e garancisë të kartonit jeshil është 250 mijë euro.

Si do të funksionojë Enti i Fondit të Kompensimit

Drafti i depozituar tashmë pranë Financave parashikon ndryshime thelbësore për Fondin e Kompensimit. Në draftin e ri AMF vendos se çdo kompani nuk mund të kontribuojë me më pak se 150 milionë lekë në fondin që ka si qëllim pagesën e dëmeve. “Vlera minimale e Fondit të Kompensimit me qëllim pagesën e dëmeve nuk mund të jetë më e vogël se 150 000 000 lekë.

Kjo vlerë mbahet nga Enti, si fond garancie në një llogari bankare qëllimore në njërën nga bankat dhe/ose degët e bankave të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe investohet vetëm në bono thesari dhe/ose depozita bankare, me afat maturimi jo më të vogël se 1 vit”, – thuhet në draft.

Enti, ashtu sikurse Byroja, do të mbikëqyret nga AMF, përmes paraqitjes së pasqyrave vjetore, si dhe raportit për operacionet dhe veprimtarinë gjatë një viti.

Futet koncepti i falimentit, kush i paguan dëmet kur kompania mbyll aktivitetin

Drafti i fundit i ligjit “për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” fut për herë të parë konceptin e falimentit, pra çfarë ndodh me dëmet që duhet të paguhen, kur një kompani del nga tregu, pra falimenton ose mbyll aktivitetin. Pagesat do të bëhen nga Enti nga një fond i veçantë që do të llogaritet sa 0.5% e primit të shkruar bruto.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë