Financa Personale

DPSHTRR rrit çmimet e tarifave për marrjen e patentës. Rritet edhe afati i vlefshmërisë

Nga Gazeta ‘Si’– Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor me anë të një komunikimi publik ka njoftuar rritjen e çmimit të tarifave për marrjen e patentës.

Sipas DPSHTRR ky indeksim i çmimeve i cili do të hyjë në fuqi nga 5 shkurti, është bërë për uljen e shpenzimeve indirekte.

Në njoftim theksohet se “nga një analizë e hollësishme rezulton se shtrirja e këtyre shërbimeve në afate kohore, duke eleminuar detyrimin e paraqitjes në sportel, lehtësimin e kalimit nga një kategori në një tjetër, si dhe uljen e shpenzimeve indirekte (përllogaritur këtu në 7.569.450 kilometra vajtje/ardhje, 529.862 litra karburant, 12.616 ditë pune/vit kohë e shpenzuar), nuk mund të konsiderohet si rritje tarifash, por përkundrazi rezulton një kursim mesatar prej 4.170 lekë për qytetar në vit.”

Mes të tjerash sqarohet se pagesa për patentën nga 3500 lekë tashmë do të kushtojë 4500 lekë por afati i vlefshmërisë do të rritet nga 10 vite që është aktualisht, në 15.

Çmimet e reja për tarifat e shërbimeve:

• Tarifa e pajisjes me leje drejtimi me afat vlefshmërie 10 vite, nga 3.500 lekë bëhet 4.500 lekë, por afati tashmë zgjatet në 15 vite. Tarifa e re prej 4.500 lekë, e shpërndarë në vite, nga 350 lekë/viti bëhet 300 lekë/viti!

• Tarifa e pajisjes me leje drejtimi për grupmoshën mbi 65 vjeç, me afat vlefshmërie 5  vite, nga 3.500 lekë, tashmë bëhet 2.000 lekë, me afat vlefshmërie 15 vite!

• Tarifa e pajisjes me Leje Drejtimi Ndërkombëtare me afat vlefshmërie 1 vit nga 500 lekë që ishte, kalon në 1.000  lekë, me një afat vlefshmërie 3-vjeçare. Tarifa e re prej 1.000 lekë, e shpërndarë në vite, nga 500 lekë/vit bëhet 333 lekë/vit!

• Kalimi nga Leje Drejtimi e Kategorisë B në D/D1, pa qenë i detyrueshëm kalimi në kategorinë C, nga 2.200 lekë, bëhet 0, pasi është eleminuar testimi për kategorinë C!

Nga ndryshimi i këtyre tarifave përfitojnë 189.179 qytetarë, duke ju kursyer mesatarisht 788.792.150 lekë/vit. (7.7 milionë Euro).


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë