Mos ngritja ende e Gjykatës së Lartë si pasojë e vonesave në procesin e vettingut ka bërë që kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, të zhvillojë një takim me përfaqësuesit e organeve të Vettingut, konkretisht me drejtuesit e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Komisionit të Posaçëm të Apelimit.
“Plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën e Lartë përveçse është prioritet për Këshillin e Lartë Gjyqësor, kërkon edhe një bashkëpunim të ngushtë mes të gjitha organeve kushtetuese të cilat garantojnë funksionimin e shtetit të së drejtës, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi”, thuhet në njoftimin e KLGJ-së.
Për këtë arsye, sipas njoftimit për median, roli i organeve të vetingut është i rëndësishëm me qëllim rritjen e mundësisë së zgjedhjes nga ana e KLGJ-së së kandidaturave më me integritet, profesionalizëm dhe besueshmëri për të shërbyer pranë kësaj Gjykate.
Drejtueset e institucioneve të rivlerësimit kalimtar shprehën angazhimin e tyre për trajtimin me prioritet të subjekteve të rivlerësimit që kanë kandiduar për vendet vakante në Gjykatën e Lartë, në përputhje me rregullat procedurale në fuqi.
Gjykata e Lartë duhet të ketë 19 anëtarë, nga 4 që ka aktualisht, duke pamundësuar shqyrtimin e mbi 30 mijë dosjeve që kanë mbetur pezull.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




