Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka dënuar me 4 vite burg ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, i cili akuzohet për përfshirjen e tij në dosjen e njohur si “Toyota Yaris”. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, Zarka përfiton ulje dënimi dhe do të vuajë 2 vite e 8 muaj burg.
GJKKO e dënoi Zarkën si të përfshirë në korrupsion dhe se ka ushtruar ndikim te kolegë të tij. Për akuzat e korrupsionit në dy raste dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm, SPAK kërkoi dënimin e tij me 4 vite burg.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Aurel Zarka ka përdorur aplikacionin “Sky Ecc” që mundësonte komunikime të fshehta, ku është provuar se ka kërkuar vlera monetare për të ndërhyrë në dosjen “Toyota Auris” në bashkëpunim me Radovan Çelën, avokatin e Elvis Vladit, njërit prej të dënuarve për këtë çështje.
SPAK dyshon se këta persona kanë ndërhyrë dhe janë korruptuar në zbutjen e rrethanave penale për personat e arrestuar për futjen në Shqipëri të 3.4 milionë eurove në disa makina “Toyota Auris” në vitin 2018.
Po kështu, sipas SPAK, ata kanë ndërhyrë edhe në mbylljen e një hetimi pasuror të SPAK në vitin 2020 për Suel Çelën, aktualisht i shpallur në kërkim si kreu i një organizate kriminale.
Një tjetër ndërhyrje është ai për një hetim për vjedhje në Prokurorinë e Tiranës dhe mbylljen e dy çështjeve në Prokurorinë e Vlorës, njëra prej tyre për kultivim të kanabisit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.