Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar shpalljen fajtor të ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka për përfshirjen e tij në dosjen “Toyota Auris” dhe dënimin e tij me 4 vite burgim pas zbërthimit të mesazheve të aplikacionit “Sky Ecc”.
GJKKO ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar të bërë nga Zarka dhe avokati i tij. Gjykata caktoi seancën e radhës në datën 5 maj, ora 09:00, kur do bëhet mbrojtja e të pandehurit dhe më pas shpallja e vendimit.
Ndaj tij rëndojnë veprat penale për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm. Falë gjykimit të shkurtuar, Zarka do të përfitojë ulje të 1/3-ës së dënimit në rast se GJKKO e gjen fajtor.
Në seancën e mbajtur sot, ish-kryeprokurori i Vlorës nuk ishte i pranishëm, por përfaqësohej nga avokati i tij, ndërsa prokurori i posaçëm Klodian Braho lexoi përfundimet e hetimeve të SPAK.
“Nga hetimet ka rezultuar se Aurel Zarka ka qenë një nga përdoruesit e Sky Ecc, që mundësonte komunikime të fshehta. Ka rezultuar e provuar se ka kërkuar vlera monetare për një çështje në Prokurorinë e Vlorës. Është provuar se ka kërkuar vlera monetare për favorizimin e një tjetër çështje, në bashkëpunim me Radovan Çela. Oficerja e Policisë Gjyqësore Daupaj, mori 10 mijë euro në mënyrë që të ushtronin ndikim te Elisabeta Imeraj, për të zbutur masën e sigurisë. Astrit dhe Radovan Çela i kanë dhënë 50 mijë euro Erjona Daupajt për t’ia dhënë shtetases Elisabeta Imeraj, që të ndikonte më pas te punonjës të Gjykatës së Tiranës”, – tha në pretencën e tij prokurori i SPAK-ut.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Aurel Zarka ka përdorur aplikacionin “Sky Ecc” që mundësonte komunikime të fshehta, ku është provuar se ka kërkuar vlera monetare për të ndërhyrë në dosjen “Toyota Auris” në bashkëpunim me Radovan Çelën, avokatin e Elvis Vladit, njërit prej të dënuarve për këtë çështje.
SPAK dyshon se këta persona kanë ndërhyrë dhe janë korruptuar në zbutjen e rrethanave penale për personat e arrestuar për futjen në Shqipëri të 3.4 milionë eurove në disa makina “Toyota Auris” në vitin 2018.
Po kështu, sipas SPAK, ata kanë ndërhyrë edhe në mbylljen e një hetimi pasuror të SPAK në vitin 2020 për Suel Çelën, aktualisht i shpallur në kërkim si kreu i një organizate kriminale.
Një tjetër ndërhyrje është ai për një hetim për vjedhje në Prokurorinë e Tiranës dhe mbylljen e dy çështjeve në Prokurorinë e Vlorës, njëra prej tyre për kultivim të kanabisit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.