Dosje

Dosja italiane e narko-trafikut: Nuredin Dumani fundosi grupin e ‘Pojës’: Visi, negociator i mirë

Gazeta Si – Një pjesë e dosjes hetimore e grupit të narkotrafikut të drejtuar nga Xhevdet Troplini, i njohur ndryshe edhe si “Poja” është publikuar nga mediat italiane.

Sipas autoriteteve të vendit fqinj, i cili zbulon rolin e secilit prej anëtarëve me qendër në Durrës, thuhet se ky rrjet është fundosur edhe nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë shqiptare, Nuredin Dumani.

Në qendër të hetimit, janë 28 persona të dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, kryesisht heroinë dhe kokainë, me origjinë nga Shqipëria dhe Holanda, të destinuara për tregun italian.

Bashkë me numrin e personave nën hetim në Shqipëri, numri total i urdhër-arresteve është 52, ku jnë ekzekutuar 19 prej tyre.

Sipas dosjes hetimore, organizata kishte si drejtues kryesor shtetasin Xhevdet Troplini, i cili sipas policisë është dënuar për trafikim të lëndëve narkotike në vitin 2006 në Itali.

Ai dyshohet se është përfshirë në disa ngjarje kriminale në Durrës, por që në asnjë moment nuk është provuar fajësia e tij dhe nuk është nën akuzë ose i marrë si i pandehur nga drejtësia shqiptare.

Një element kyç në zbardhjen e aktivitetit të kësaj organizate kriminale ka qenë dëshmia e të penduarit të drejtësisë shqiptare Nuredin Dumani, një person i njohur për lidhjet e tij në botën e krimit në Shqipëri.

Dumani, i cili ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë shqiptare në kuadër të hetimeve të SPAK, ka dhënë dëshmi të detajuara mbi funksionimin e organizatave kriminale në të cilat ka qenë i përfshirë, përfshirë dhe lidhjet me grupin e Troplinit.

Rrëfimi i tij ka ndihmuar në ndërtimin e një panorame të qartë mbi trafikun ndërkombëtar të drogës, përfshirjen e disa personave kyç, itineraret e përdorura për transportin e lëndëve narkotike dhe metodologjinë e shpërndarjes.

Informacionet e siguruara prej tij janë përdorur nga autoritetet italiane dhe kanë ndikuar në përforcimin e akuzave kundër disa prej të dyshuarve.

Dumani ka dhënë të dhëna të dobishme për të zbuluar rolin e Adi Çobës, por edhe Elvis Doçit, trafikantit shqiptar të drogës të njohur si “Visi i Pojës”, pasi është nip i Xhevdet Troplinit, i njohur si “Poja”.

Në dosje rezulton se Adi Çoba të jetë drejtuesi i organizatës, i cili drejtonte trafikun e drogës nga Shqipëria. Ai siguronte dhe dërgonte nga jashtë, sasi të mëdha heroine dhe kokaine në Itali. Çoba i njohur edhe me pseudonimin “Bisha”, koordinonte dhe drejtonte nga Shqipëria aktivitetet e anëtarëve të tjerë të organizatës, shqiptarë dhe italianë.

Në dosjen italiane thuhet se Adi Çoba, “në cilësinë e kreut dhe promovuesit të shoqatës, merrte dhe dërgonte në Itali korrierë që sillnin sasi të mëdha heroine dhe kokainë, të furnizuara nga Shqipëria dhe Holanda përmes veprimtarisë së paligjshme të anëtarëve të tjerë të organizatës.

Dumani ka përshkruar për hetuesit edhe rolin dhe figurën e Xhevdet Troplinit në botën e krimit, për të cilin thotë se grupi i tij është një ndër më të fuqishmit.

Dumani: “Nuk e di mbiemrin e tij, por e njoh me emrin VISI. E njoh prej vitesh, që kur isha i vogël, rreth 16-17 vjeç.”

P.M. DOKTOR CHIMIENTI: Çfarë di për këtë Visi, çfarë bënte

Dumani: “Visi është një negociator shumë i mirë.”

P.M. DOKTOR CHIMIENTI: Negociator i çfarë?

Dumani : “Fillimisht për trafikun e heroinës.”

Oficer P.G Gjoni: Në cilin vit?

Dumani: “Flasim për vitet 2010 deri më 2013, ishin më të fuqishmit.”

P.M. DOKTOR CHIMIENTI: Gjithmonë për heroinë?

Dumani: “Për heroinën.”

P.M. DOKTOR CHIMIENTI: Në cilën periudhë?

Dumani: “2010 – 2013.”

MAJG. CEA: A bënte pjesë në një grup?

Dumani: “Një grup shumë i madh. Është grupi i Xhevdet TROPLINIT.”

Oficer P.G DUKA: Shpjego lidhjen që ka me Xhevdetin.

Dumani: “Grupi i Xhevdet TROPLINIT, vitet e fundit, është bërë grupi më i madh, të paktën në qytetin e Durrësit.”

Oficer P.G GJONI: Për çfarë?

Dumani: “Për trafikun e kokainës dhe heroinës, pastaj për vrasje. Jo vrasje me pagesë.”

Ndër personat e tjerë të përfshirë në dosjen italiane, janë Erigels Presi, Agron Ganaj, Nuredin Kiptiu, Leonard Shakaj, Zenit Shtraza, Indrit Tafili, Ekil Nderjaku, të cilët dyshohen për role të ndryshme brenda organizatës kriminale.

Operacioni mbulon një periudhë kohore nga viti 2016 deri në qershor të vitit 2022 dhe përbën një nga ndërhyrjet më të mëdha të koordinuara kundër trafikut të drogës mes Shqipërisë dhe Italisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë