Rend dhe Ligj

Dosja “Habilaj”, flet kushëriri i Tahirit: Nuk isha unë shefi!

Në Katania të Italisë vazhdon saga e marrjes në pyetje të anëtarëve të bandës “Habilaj”, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të drogës.

Ata kanë dalë sërish para gjykatës, ndërsa Prokuroria u ka komunikuar një sërë veprash penale të lidhura me trafikun e drogës dhe armëve, në një xhiro që përllogaritet, sipas një artikulli të “MeridioNews” në 20 milionë euro.

Në artikullin me titull: “Droga nga Shqipëria, te klanet, kushëriri i ish-ministrit nga qelia: ‘Nuk isha shefi’ portali Italian jep detaje nga deklaratat e Moisi Habilajt dhe avokatëve të tij mbrojtës në sallën e gjyqit të zhvilluar pikërisht sot.

“Moisi Habilaj nuk ka qenë kurrë një nga bosët kryesorë të trafikut ndërkombëtar të drogës, por vetëm një “personazh” i thjeshtë. I aftë të organizojë, së bashku me disa bashkëpunëtorë, rrugë autonome të drogës nga Shqipëria dhe kur shkoi keq, si në rastin e ndërhyrjeve të policisë në Augusta dhe Riposto, ai pagoi me para nga xhepi i tij”, shkruan media italiane.

Sipas kësaj të fundit, Habilaj ka ndjekur dëgjimin nga prapa hekurave, brenda një dhome në katin përdhes të gjykatës në Piazza Giovanni Verga, ndërsa është mbrojtur nga avokatët Giuseppe Ragazzo dhe Maria Caltabiano.

“Ai nuk është kreu i ndonjë organizate kriminale dhe nuk ka zgjedhur kurrë njerëzit që ishin pjesë e grupit. Ai ka një pozicion si gjithë të tjerët. Prandaj kërkesa që rrethanat rënduese që të jetë “koka” përjashtohen”, – ka shpjeguar një nga avokatët e tij.

Në dy raste, shefi i dyshuar, i ndaluar që nga tetori 2017, pati takime ballë për ballë me magjistratët italianë dhe me magjistratët shqiptarë që erdhën në Catania për të qartësuar qëndrimin e tij.

“Në Shqipëri përmes Celaj Sabaudin takova Fatoshin, i cili është një tregtar i madh i marijuanës dhe më propozoi të filloja një trafik me Sicilinë”, thuhet ndërkohë në një nga procesverbalet e dëshmisë së Habilaj, që publikon MeridioNews.

Ndërkohë, aktivitetet që Habilaj ka pranuar të ketë bërë janë: “Udhëtimi i parë që mora ishte në vitin 2013, i cili përfundoi me marrjen e mbi 1500 kilogramë marijuanë në Augusta. Unë kisha ardhur në Sicili në vitin 2006 dhe më parë isha murator, pastaj fillova të transportoja fruta dhe perime në tregun e Vittoria”, ka rrëfyer ai. Për klientine tyre, avokatët kanë kërkuar edhe lehtësimin e akuzave dhe minimizimin e dënimit.

Një nga misteret e shumta të lidhura me këtë çështje, e denjë për një histori spiunazhi, është blerja e bizhuterive në një argjendari në vitin 2013 nga Habilaj në Katania. Për të përmendur këtë pasazh, ishte vetë Habilaj në një përgjim ambiental sipas dosjes së hetimit.

“Një e kam blerë për nënën dhe një për gruan e tij, prej 4000 eurosh, diamantë”. Sipas rindërtimit të hetuesve, ato objekte të çmuara do të ishin dhurata për ish-ministrin Tahiri. Hipotezë që u mohua si nga politikani shqiptar, ashtu edhe nga vetë Habilaj, i cili u tregoi magjistratëve se ishte Fatosi, njeriu misterioz, përfituesi i vërtetë.

Me 10 dhjetor 2018, prokurori Antonio Bonono kërkoi dënim më të lartë për Moisi Habilaj, konkretisht 18 vite e 8 muaj burg, si dhe masa të tjera dënimi me burg për anëtarët e tjerë të grupit. Gjykata e Katanias ka konfirmuar datën e dhënies së vendimit më 19 qershor 2019, ora 15.00.

Ndzrsa, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është hetuar dhe po gjykohet në Shqipëri për bashkëpunim me këtë grup kriminal përmes krijimit të lehtësimit për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë