Politike

Dosja e zyrtarit të FBI, deputetët e PD: Rama bëri investitor strategjik rusin e sanksionuar nga SHBA

Deputetët e Partisë Demokratike pretenduan të enjten se kanë prova të reja rreth dosjes së zyrtarit të lartë të FBI-së.

Sali Berisha dhe Ervin Salianji deklaruan të enjten se oligarku rus Oleg Deripaska që dyshohet se është favorizuar nga zyrtari i FBI edhe pse ishte përfshirë në sanksionet amerikane, ka përfituar statusin e investitorit strategjik në Tiranë  

“Sot mazhoranca ishte më e pacipë e paturpë. Mazhoranca nuk tentoi se nuk gjeti dot mënyrë për të shfrytëzuar përçarjen e opozitës se u bllokua seanca e nuk u lejua të bënin nga këto lojërat me opozitën.

Sot ata shkelën çdo normë të parlamentarizmit pa u skuqur fare për të shmangur debatin publik, fakte dhe fakte të tjera që do kemi kohë t’i publikojmë, ne sot do i publikonim në Kuvend për të bërë debat me PS...”, tha ai.

Referuar fakteve të pretenduara, Salianji përmendi takimet e Ramës me ish zyrtarin e FBI, McGonigal për herë të parë në vitin 2017 që ka pasuar një vit më vonë me dhënien e statusit të investitorit strategjik për një rus të sanksionuar nga SHBA. Ai nuk përmendi emra konkret, por Berisha po.

“Ju duhet ta dini edhe se Deripaska është një nga kompanitë sot, edhe sot që flasim, më prezente në Shqipëri.

Është një nga kompanitë me të cilat ka përfituar statusin e investitorit strategjik, ka përfituar koncesione, ka përfituar tendera nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Deripaska është miku numër një i Vladimir Putinit, rekrutuesi me korrupsion i Charles McGonigal.

A u takua Rama, McGonigal dhe Deripaska? A drekuan apo darkuan së bashku? Këto do i sqarojë drejtësia. Por një gjë është e sigurt, se Edi Rama me të gjitha qëndrimet e tij, del agjent influent rus.

Edi Rama nuk ishte i verbër, nuk ishte pa eksperiencë. Veprimet e tij me McGonigal i ka bërë për llogari të asaj fuqie të NATO-s dhe SHBA. Edi Rama nuk ka fshehur në asnjë rast qëndrimet e tij pro-ruse duke mbrojtur qëndrimet e Vuçiç ndaj embargos ruse.

Ne jemi këtu për të deklaruar se ky parlament nuk zhvillon më punime pa u ndalur te spektri i kësaj afere të tmerrshme që ka tronditur Shqipërinë dhe ka goditur rëndë në opinionin publik amerikan dhe botëror”, tha Berisha.

Edhe deputeti tjetër Edi Paloka tha në një prononcim për mediat se, ajo që ka dalë në akt-akuzë është maja e ajsbergut.

“Aty ka përgjime, emaile dhe e gjithë korrespodenca e kryeministrit është e kontrolluar. Ai s’mund të fshehë kokën si struci. Çfarë ka dalë është maja e ajsbergut”, tha Paloka.

Ai theksoi më tej se bëhet fjalë për hetime që nga 2017. “Ky zotëria edhe zyrtarisht mund të ketë qenë nën hetim dhe nën përgjim. Ne kërkojmë që Rama të japë menjëherë dorëheqjen dhe të vihet në dispozicion të drejtësisë. SPAK-u nuk ka nevojë të presë akuza as nga opozita as nga ambasadorja. Kryeministri duhet të japë shpjegime para SPAK-ut sepse akuzohet drejtpërdrejt”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë