Policia ka arrestuar ish-deputetin e LSI-së e PS dhe ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka pas hetimeve nga SPAK për dosjen e inceneratorëve. Ndaj tij rëndojnë akuzat për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion. SPAK konfirmoi se sëbashku më Kokën janë lëshuar urdhërat e arrestit edhe për shtetasit Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, shefat e dy prej kompanive që kanë përfituar nga kontratat me Partneritet Publik-Privat të inceneratorëve. Të tre këtyre shtetasve u janë vendosur edhe sekuestro preventive mbi kompanitë e tyre. Urdhërat e "arrestit me burg" janë lëshuar që më datë 12 dhjetor, por vetëm sot SPAK konfirmoi ndalimin e Lefter Kokës, por jo edhe të dy të akuzuarve të tjerë të sipërmendur.
Detajet e akuzave të SPAK:
Në një njoftim, gjatë pasdites, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka zbardhur edhe detajet mbi akuzat që rëndojnë mbi Lefter Kokën. Sipas SPAK, mbi bazën e kallëzimit penal të kryer nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë dhe kallëzimit penal të subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, ka zhvilluar hetime për procedimin penal nr.277 viti 2020, që bën fjalë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”. Sëbashku me akuzat që rëndojnë mbi Kokën, janë dhënë detaje edhe mbi arsyet e arrestimit të administratorit “Integrated Technology Services” Klodian Zotos dhe administratores së shoqërisë “Albtek Energy”, Stela Gugallja.
Sipas SPAK, objekti i hetimeve të këtij proçedimi penal kanë qënë veprimet e kryera për proçedurën e ndjekur për lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, si dhe veprimet e kryera në fazën e zbatimit të kësaj kontrate konçensioni, kontratë e cila është lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k.
- Së dyti, nga hetimet është provuar gjithashtu fakti se nuk është është zbatuar proçedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e proçedurës që është përdorur për dhënien e konçensionit, në kundërshtim me parashikimet e nenit 22 të ligjit nr.125/2013 “Për konçensionet dhe partneritetin publik privat”, në kundërshtim me dokumentet standarte të tenderit të zbatueshme për konçensionet, në kundërshtim edhe me sygjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjensisë së Prokurimit Publik. Në rastin konkret, në proçedurën e ndjekur për dhënien e konçensionit dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” sh.p.k, është ndjekur proçedura “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, e rregulluar nga neni 33 e vijues të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar. Proçedura e ndjekur për dhënien e konçensionit “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, nuk është një nga proçedurat e parashikuara në nenin 22 të ligjit nr.125/2013, ku parashikohet se për dhënien e konçensionit munden të përdoren vetëm një nga tre proçedurat: i) proçedura e hapur; ii) proçedura e kufizuar; ose iii) proçedura me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.
“Veprimet dhe mosveprimet e mësipërme, të kryera në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore janë kryer nga anëtarët e komisionit për dhënien e konçensionit në bashkëpunim me shtetasin Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit. Veprimet dhe mosveprimet në kundërshtim me ligjin, përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, si dhe i kanë sjellë personit juridik “Albtek Energy” sh.p.k. përfitime materiale të padrejta, pasi ka përfituar në kundërshtim me ligjin kontratën e konçensionit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane dhe prodhimin e energjisë. Ministri i Mjedisit në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ka qenë personi përgjegjës për prokurimin e fondeve publike, ka qënë përsoni përgjegjës për organizimin dhe realizimin në përputhje me ligjin të proçedurës së konçensionit”, nënvizon SPAK.
- Së treti, sipas Prokurorisë së Posaçme, nga veprimet hetimore të kryera dhe nga vlera provuese e provave të mbledhura krijohen dyshime të arsyeshme dhe të bazuara në prova dhe krijohet bindja se nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. (shoqëria që ka përfituar konçensionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të konçensionit) janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare. Shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 368.672.760 lekë (ose rreth 2.950.000 Euro). Shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 91.963.141 lekë (ose rreth 735.000 Euro).
“Shtetasja Stela Gugallja, në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k dhe shtetasi Klodian Zoto., në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k., kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit”, thuhet në sqarimet mbi akuzat.
“Shtetasi Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., që janë përfitueset e kontratës së konçensionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij. Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit”, thotë SPAK.
Bazuar në argumentet e mësipërme, janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit Stela Gugallja dhe Klodian Zoto kanë konsumuar veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal.
Po kështu, bazuar në argumentet e mësipërme dhe duke vlerësuar në tërësi provat e administruara, krijohen dyshime të arsyeshme se shtetasi Lefter Koka ka konsumuar veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 e 25, 260 dhe 287/2 të Kodit Penal.
Në këtë proçedim penal, krahas marrjes në përgjegjësi penale të shtetasve Lefter Koka, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, si dhe të disa persona të tjerë për të cilët vazhdojnë hetimet, janë marrë në përgjegjësi penale edhe personat juridikë, shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal.
Ndaj, në kuadër të hetimeve paraprake të këtij proçedimi penal, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka vendosur edhe arrestimin e Lefter Kokës, Stela Gugalljas dhe Klodian Zotos. Po kështu, me vendimin nr.484 akti, datë 13.12.2021 të Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:
- Caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për personin juridik “Albtek Energy” sh.p.k., me seli qëndrore në Elbasan, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale.
- Caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për personin juridik “Integrated Technology Services” sh.p.k., me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale.
- Caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasurinë në zotërim të shtetasit Lefter Koka., të “88, 19 %” të aksioneve në pronësi të tij në shoqërinë tregtare “Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu” sh.a., me Nipt J61811527M, me seli në Rrashbull, Durrës, që iu korrespondon vlera prej 442.972 lekë, si pasuri ekuivalente me një pjesë të produkteve të veprës penale.
Karriera politike e Lefter Kokës
Koka ka mbajtur postin e ministrit të Mjedisit në periudhë 2013-2017, ndërsa për periudhën 2017-2021, ka qenë deputet i PS-së.
Lefter Koka ka lindur në Durrës në vitin 1964. Karriera e tij politika ka nisur në vitin 2003, ku u zgjodh kreu i Bashkisë së Durrësit, duke e mbajtur këtë post për një mandat të plotë. Në këtë kohë ai ka mbajtur dhe detyrën e anëtarit të Këshillit të Qarkut të Durrësit.
Më pas karriera e tij vijon në politikën kombëtare, ku zgjidhet deputet në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2009, nën silgën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në vitin 2013 u zgjodh sërish deputet duke përfaqësuar sërish këtë parti në qarkun e Durrësit.
Gjatë viteve 2013-2017, Koka ka mbajtur postin e ministrit të Mjedisit. Në vitin 2017 Koka u rizgjodh sërish deputet në qarkun e Durrës, nën siglën e LSI.
Ndërsa në vitin 2021, ai kandidoi me Partinë Socialiste ku arriti të merrte mandatin, por nuk e ushtroi këtë detyrë pasi dha dorëheqjen ende pa u betuar në Kuvend.
Në jetëshkrimin e tij të depozituar në Kuvend gjatë kohës që ka qenë deputet, Koka ka deklaruar se ka kryer Fakultetin Ndërkombëtar të Shkencave Juridike nё Strugё dhe është njohës shumë i mirë i gjuhës italiane dhe asaj angleze.
Në padinë e LSI, në tetor 2021, shkruhej se ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka (ministër nga radhët e LSI), ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, sot deputet i Partisë Socialiste, Alqi Bllako dhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, kanë kryer dy vepra penale, atë të ‘Shkeljes së barazisë në tendera’ dhe ‘Shpërdorimin e Detyrës’.
Në SPAK ka pasur disa denoncime nga opozita për këtë çështje, ndërsa në 21 tetor të këtij viti, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi dorëzoi në SPAK kallëzimin për dosjen e inceneratorëve të Fierit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.