Vjedhja e një arsenali të rëndë armësh në bazën ushtarake të Pashalimanit kalon përmasat e një grabitje. Gazeta "Si" zotëron të plotë dosjen hetimore të siguruar eksluzivisht nga Ministria e Mbrojtjes. Aty jepen me detaje hetimet e kryera nga policia ushtarake për ngjarje që hedh pikëpyetje të forta për organizimin e shërbimeve ushtarake dhe seriozitetin e tyre. Në mënyrë kronologjike policia ushtarake raporton si vijon:
Në orën 8.40 të mëngjesit, datë 10 janar nëntetari Klement Rrapushi, përgjegjës i bazës ushtarake në repartin që njihet me numrin 2004, Pashaliman, ka dhënë alarmin. Ai konstatoi vjedhjen dhe menjëherë ka njoftuar shefat e tij me gradat major.
Ajo çfarë u pa në repart ishte një mësymje që siç ngjan nga gjurmët është më së shumti e brendshme. Nga një dritare duralumini mendohet se është hyrë në depon e armatimit dhe konkretisht në vendrojën 3 dhe 4. Por edhe pse dritarja kishte zgara hekuri, policia ushtarake dyshon fort se kunjat e hekurit janë këputur me drejtim nga brenda jashtë. E padëmtuar është vërejtur edhe dera e depos, e cila është parë e hapur nga Nëntetari që dha alarmin. Me gjithë kontrollet e imtësishme brenda bazës nuk është gjetur asnjë gjurmë papilare, duke forcuar dyshimet se rrëmbimi i armatimit është kryer nga profesionistë. I gjithë perimetri i brendshëm dhe i jashtëm është kqyrur imtësisht, por asnjë gjurmë. Jashtë objektit dhe jashtë gardhit rrethues është gjetur një armë që mendohet se gjatë boshatisjes së depos duhet t’u ketë rënë grabitsëve. Arma është model 56.
Megjithë kërkimet nuk ka pasur asnjë zbulim tjetër të vlefshëm. Në këto kushte policia ushtarake ka hedhur sytë për të zbuluar emrat e ushtarëve që ndodheshin në shërbim gjatë mbrëmjes së vjedhjes. Nga kqyrja e rregjistrave të shërbimit të rojes për shërbim 24 orësh u vu re se kanë qenë katër ushtarë me detyra që nga shërbimi në flotije deri tek oficeri i shërbimit dhe shërbim roje. Gjatë pyetjes së tyre në mënyrë të çuditshme rezulton se gjatë ndërrimit të turneve , njëri nga ushtarët Ervist Memolla, mbrëmjen e 10 janarit ka qëndruar në shërbim deri në orën 3 të natës dhe më pas është larguar pë t’u kthyer në orën gjashtë të mëngjesit dhe ka vazhduar shërbimit pa kryer kontrol në objekt. Ai më pas sërisht është larguar pa pritur ushtarakun që merr detyrën e radhës.
Po përveç kësaj shkeljeje, një tjetër vazhdon edhe nga zinxhiri komandues. Shefi i tij, me detyrë oficer informacioni Ardit Ramaj duhej të kontrollonte sipas rregulloreve të Forave të Armatosura nënlejtnantin nëse ishte apo jo në shërbim dhe jo më pak se një herë gjatë turnit. Të njëjtën gjë duhet të bënte edhe përgjegjësi i turnit për të verifikuar nëse po kryhej patrullim dhe nëse gjendej ushtari në vendrojë . Një tjetër ushtarak i tretë duhet të dinte veprimet e të mëparshmëve përfshi vendodhjen e personelit gjatë shërbimit sipas një linje hierarkike, përfshi edhë mënyrën se si është marrë detyra duke u zbardhur data 10 janar. Ushtari vijues që quhet Edlir Nelaj ka firmosur marrjen e shërbimit pa qenë prezent personeli i shërbimit pa kryer kontroll fizik të objektit përfshi edhe depon e boshatisur ku gjatë natës ishin grabitur armatime të rënda që nga kallasnikovët deri tek blindshpuesit.
Kjo është vetëm një pjesë e zbardhur e dosjes së hetimit, e cila ka ngritur një shqetësim të madh. Sic mund ta keni kuptuar në bazën ushtrake më të rëndësishme të shqiptarëve nuk ka funksionuar zinxhiri i kontrollit dhe se gjithcka duket një anarki. Ndoshta edhe më keq!
Gati 10 vjet më parë Shqipëria u bë pjesë e NATO-s. Kjo ngjarje është historike, por e detyronte ndërkohë vendin tonë që të angazhohej seriozisht për të reformuar automatikisht forcat e armatosuara në një trup më të vogël, por më efikase dhe modern. ADN-ja e kësaj ushtrie do të ishte rritja e sigurisë. Por grabitja e armëve në një nga bazat më të mbrojtura ushtarake dëshmon se sa e dobët është ushtria. Me reparet ushtrake dhe forcat e armatosura brend pak vitesh ka ndodhur shumë ngjarje të rënda. Diku u vodhën sasi të mëdha lëndësh ekspozive, në Gërdec ushtria me dijeni të kupolës më të lartë punoi si hamalle në trafikun e armëve që më pas rezultoi me një shpërthim nga demontimi ku mbetën të vdekur dhjetra qytetarë. Ka patur ushtarakë të lartë të përfshirë në trafikë të lëndëve narkotike sic ka patur ushtarak të implikuar në vjedhje spektakulare bankash.
Çfarë po ndodh kështu me ushtrinë, kaq lehtësisht është e kapur nga grupet kriminale që arrijnë të futen me lehtësi edhe në bazat më të rëndësishme jo vetëm shqiptare por edhe të NATO-s?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.