Dosje

Dosja e AKSHI-t, SPAK zbulon jahtin rreth 1 mln euro të Ermal Beqirit

Gazeta Si – Një jaht luksoz me vlerë rreth 1 milion euro, i dyshuar në pronësi të biznesmenit të shpallur në kërkim, Ermal Beqiri, është zbuluar nga kontrollet e BKH-së.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar asete të cilat i përkasin personave të dyshuar në dosjen qindra miliona eurosh të abuzimeve me tenderët e AKSHI-t, ku të përfshirë janë Ergys Agasi, drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili.

Bëhet fjalë për një jaht të markës “Predator 50 Skyfall”, vlera e të cilit në treg shkon rreth 950 mijë euro. Sipas burimeve, nga kontrollet e BKH-së, mjeti lundrues mësohet se është gjetur i ankoruar në Durrës. 

SPAK thotë se biznesmeni Beqiri e ka vendosur këtë jaht në pronësi të Xhenila Tamizit, punonjëse e kompanisë “Soft & Solutions”, por prokurorët dyshojnë se mjeti është blerë nga vetë i shpalluri në kërkim.

Në dosjen hetimore të SPAK, del se Tamizi rezulton se është personi që rekrutonte edhe stafin për kompaninë e Beqirit dhe më pas i transferonte tek kompania e biznesmenit Ergys Agasi, i shpallur po ashtu në kërkim.

Pjesë nga dosja hetimore e AKSHI-t, ku sipas SPAK, jahti i blerë nga Ermal Beqiri, rezulton në emër të Xhenila Tamizit

“Në vijim, me qëllim verifikimin e të dhënave të konstatuara, të cilat rezultuan nga ushtrimi i këtij kontrolli, është proceduar me marrjen në pyetje të disa punonjësve te shoqërisë ‘EA Solution’ sh.p.k. Këta shtetas, në tërësi kanë deklaruar se njoftimet për punë i kanë parë në internet, trajnimet e tyre i ka bërë shtetasja Xhenila Tamizi. Nga aktet, kjo shtetase rezulton të jetë e punësuar në shoqërinë ‘Soft & Solutions’ sh.p.k., madje në emër të saj rezulton edhe sendi i blerë nga Ermal Beqiri, mjeti lundrues ‘Predator 50 Skyfall’ (jaht)”, – thuhet në dosjen e SPAK.

Ermal Beqirai dhe Ergys Agasi akuzohen nga SPAK për konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë në tenderë, pastrim parash e grup i strukturuar kriminal.

Ata dyshohet se kanë marrë peng biznesmenin Gerond Meçe, derisa ai pranoi të tërhiqej nga ankimimet që kishte bërë për disa tenderë shtetërorë te AKSHI.

Gjatë kontrolleve që SPAK ushtroi për arrestimin e Agasit, në vilën e tij zbuloi edhe një koleksion me 900 shishe verë në pronësi të tij, por që u zhdukën pa asnjë gjurmë.

Agjentët e BKH-së, të cilët ushtruan kontroll me urdhër të SPAK kishin konstatuar se pijet ishin pa pullë fiskale.

Për këtë, ata njoftuan Doganën, e cila bllokoi mallin, por pa e vënë atë në ruajtje, deri në momentin kur do duhet të shkonin për të tërhequr shishet e bllokuara.

Për këtë episod u shpall në kërkim kushëriri i Agasit, Eno agasi, ndërsa u zbulua edhe se është fshirë serveri i kamerave së vilës së Agasit, në një zonë në periferi të Tiranës.

Maks Haxhia, avokati i biznesmenit Ergys Agasi, deklaroi pak ditë më parë se klienti i tij nuk ka përfituar tenderë nga AKSHI dhe se nuk është arratisur.

Pjesë e kësaj dosjeje është edhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e cila ndodhet në “arrest shtëpie”.

Karçanaj, nuk ka dhënë dorëheqjen nga detyra, edhe pse është nën hetim nga SPAK për “shkelje të barazisë në tenderë”. Ajo ia ka deleguar kompetencat drejtuese Romina Kostanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë