Lajme

Dorian Teliti: “Reforma Administrative Territoriale ka dështuar”

Reforma Administrative territoriale e cila ka nisur të aplikohet tre vite më parë, në aspektin e decentralizimit fiskal të bashkive nuk ka funksionuar për Dorian Telitin, përkundrazi ajo ka dështuar sipas tij.

Teliti e argumenton me mungesën e rezultateve të pritshtme. “Nuk ka kontribuar në rritjen e pavarësisë financiare, nuk ka kontribuar në rritjen e përmirësimit fiskal dhe nuk po jep rezultate konkrete në zhvillimin rajonal vendor dhe në ekonominë e përgjithshme shqiptare”-thotë ai.

Këshilltari për çështjet ekonomike në Partinë Demokratike sqaron se “Ndonëse është reduktuar me disa herë numri i njësive të qeverisjes vendore, gjatë tre viteve të fundit vihen re diferenca të ndjeshme ndërmjet bashkive të ndryshme përsa i përket kapacitetit të tyre fiskal dhe konkretisht mbledhjes së të ardhurave vendore. Bashkitë e reja kanë ndërmarrë një rritje të normave të taksave dhe tarifave lokale (tarifat e pastrimit, hapësirës publike, tabelës, etj) ndërkohë që shpeshherë cilësia e shërbimeve publike nuk ka patur ndonjë përmirësim, madje në shumë raste në njësitë administrative është vërejtur neglizhencë, si në dhënien e shërbimeve, ashtu edhe në nivelin e investimeve duke u fokusuar kryesisht në zonat e qendër-bashkive të reja.”

Sipas tij, nuk vihet re një rritje e nivelit të investimeve lokale nga ana e vetë bashkive, “pasi siç konstatohet edhe në të dhënat zyrtare vetëm 20-25% e shpenzimeve lokale shkojnë për investime (praktikisht në të njejtat nivele si më parë), ndërkohë që pjesa tjetër vazhdon të dedikohet për shpenzimet  për paga dhe shpenzimet operative. “-shpjegon Teliti.

Ai thekson se, vazhdon të ekzistojë shqetësimi i krijimit të deryrimeve nga ana e pushtetit lokal, ku vitin e kaluar llogariteshin në masën 0.9% të PBB-së (rreth 120 milion dollarë)

Sabina Veizaj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë