Rend dhe Ligj

Dorëzohet një nga autorët e dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi. Shkak, gjyqi për pronat e një familjeje. Shpërblim 20 mijë euro për çdo informacion

Gazeta Si - Avokati dhe pedagogu i së drejtës penale, Sokol Mëngjesi është dhunuar barbarisht për shkak të detyrës, pasi ka pasur mosmarrëveshje për shlyerjen e detyrimeve financiare nga ana e një familjeje, e cila pasi ka fituar gjyqin për pronën në Tiranë, nuk ka zbatuar kontratën ligjore.

Policia e Tiranës ka zbardhur shkakun e ngjarjes së rëndë që ndodhi në një nga zonat më të frekuentuara n ëish-Bllok, në rrugën “Pjetër Bogdani”.

Autorët e sulmit me levë, janë klientë dhe trashëgimtarë të një familjeje, që Mëngjesi i kishte përfaqësuar në gjyq në një çështje prone, por që kishin refuzuar të paguanin detyrimet ligjore.

Ndërkohë, një nga autorët e shpallur në kërkim, Dorian Aliaj, i cili dyshohet se është organizatori i sulmit, u vetëdorëzua në polici. Por organizator kryesor i dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, është identifikuar Dritan Nano, 58 vjeç.

Dorian Alia, i vetëdorëzuar në polici

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, në një konferencë për shtyp, bëri të ditur se avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në Shkallë të Parë dhe në Apel një familje që kishte të trashëguar një pronë në Tiranë, proces i cili është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij.

Por disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës me studion ligjore, duke mos pranuar të paguajnë detyrimet financiare sipas marrëveshjes avokat-klient.

Njëri nga 8 trashëgimtarët, Dritan Nano nuk ka pranuar zbatojë kontratën pas fitimit të pronës. Në këtë situatë avokati ka kërkuar të respektohet kontrata që kishin lidhur, por vetëm Dritan Nano nuk e ka pranuar.

Avokati ka hapur gjyq ndaj Nanos për moszbatimin e kontratës që e ka fituar, dhe përmbarimi i ka bllokuar pronën duke mos e lejuar që të shitet prona.

Në këtë situatë Nano ka angazhuar lidhjet e tij shoqërore duke kërcënuar avokatin që të tërhiqet nga përqindja që duhet të merrte. Takimi i parë ka qenë përpara një muaji, por nuk kanë rënë dakord.

"Nga veprimet, rezulton se Sokol Mëngjesi me profesion avokat është goditur për shkak të detyrës. Avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces gjyqësor një familje që kishte të trashëguar një pronë në Tiranë, proces që është fituar nga pala që mbronte avokati. Ish-klientët nuk kanë pranuar që ta paguajnë", - tha drejtori i policisë, duke mohuar motivet politike.

Ky dyshohet të ketë qenë dhe shkaku i goditjes së Mëngjesit, i cili nga ana tjetër përfaqëson ligjërisht edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, nën hetim për aferën e klubit sportiv “Partizani”.

Vocaj u bëri thirrje qytetarëve që të japin informacione nëse kanë dijeni për vendndodhjen e autorëve të dyshuar dhe ka vënë në dispozicion 20 mijë euro shpërblim.

Tonin Vocaj, drejtori i Policisë së Tiranës

“Autorët nuk janë të paguar kanë lidhje me njëri tjetrin. Pas ngjarjes autorët janë ndarë dhe kanë lëvizur në dy drejtime. Njëri prej tyre ka lëvizur me Audi, 3 të tjerët në drejtime të ndryshme. Ata kanë marrë taksi dhe kanë shkuar drejt zonës së Astirit, - tha Vocaj. - Janë takuar 1 muaj para se të ndodhte ngjarja. Siç ju e dini, e gjithë policia e Tiranës, në bazë të një plani të posaçëm i ka të organizuara shërbimet policore, edhe në zonën ish bllokut kemi një prezencë më të shtuar të patrullave. Patrulla jonë nuk ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes, policia është vënë në dijeni nga telefonatat e shumta të bëra. Jemi duke u marrë në pyetje, nuk japim shumë detaje për shkak të sekretit hetimor. Policia do marri masa sipas procedurave ligjore”,- shtoi Tonin Vocaj.

Për këtë ngjarje, Policia e Tiranës e ka referuar dosjen në Prokurori për akuzën e vrasjes së funksionarëve publik të mbetur në tentativë.

Sokol Mëngjesi u godit mëngjesin e sotëm, teksa dërgonte fëmijën në kopsht në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Ai ndodhet në Spitalin e Traumës në intubim. Sipas informacioneve, Mëngjesi ka pësuar fraktura në kokë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë