Art dhe Kulture

Dorëshkrimet e Kadaresë i dorëzohen drejtorisë së Arkivave

Nga Gazeta Si – Fondi i vyer i veprimtarisë letrare të shkrimtarit të madh Ismail Kadare do të ruhet në një pavion të veçantë të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Familjarët e shkrimtarit të madh, me nismëtare vajzën Gresa Kadare kanë dorëzuar për ruajtje, administrim, restaurim dhe digjitalizim të gjithë koleksionin e tij letrar përfshirë dorëshkrime, skicë idesh, dorëshkrime të veprave të pabotuara si dhe drafte fillestare të punimeve të tij.

“Në Paris i janë ofruar shumë institucione të huaja, si universitete dhe akademia e Francës, biblioteka që të merrnin plotësisht apo dhe pjesërisht një pjesë të arkivave. Ka pasur propozim dhe nga Universiteti Princeton por e shikoja që Ismaili hezitonte dhe ishte në mëdyshje, diçka e pengonte dhe kurrë nuk dha përgjigje të saktë. E pyeta se çfarë mendonte të bënte dhe më tha që dëshira e tij ishte që arkivi të kthehet në Shqipëri kështu që ne po plotësojmë dëshirën e tij”, tha Gresa Kadare, e bija e shkrimtarit.

Më 1 korrik të këtij viti, Kadare ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare. Ai lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936.

I pyetur nga mediat, botuesi Bujar Hudhri tha se Kadare kishte lënë diçka të papërfunduar por ishte shumë diskret në atë që shkruante.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë