Ngjarje

Dorëhiqet presidenti i Federatës serbe, i lidhur me grupe të akuzuar për vrasje, rrëmbime e drogë

Presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Slavisa Kokeza, ka dhënë dorëheqjen, pas përfshirjes në qendër të polemikave rreth kontakteve të pretenduara me një grup tifozësh të akuzuar për vrasje, rrëmbime dhe trafik droge. Kokeza mohoi çdo sjellje të parregullt dhe tha se ka dhënë dorëheqjen për t’u përqendruar në rikthimin e imazhit të tij.

Muajin e kaluar, policia serbe mori në pyetje presidentit Kokeza për lidhjet e tij të pretenduara me udhëheqësit e një grupi të mbështetësve të Partizanit të Beogradit të arrestuar në janar, në atë që zyrtarët thanë se ishte goditja më e madhe kundër lidhjeve të futbollit me mafien. Akuzat përfshijnë vrasje të supozuara nga anëtarët e grupit të rivalëve të tyre, duke përfshirë prerje kokash dhe tortura në një “bunker” të veçantë në stadiumin e klubit në kryeqytetin serb.

Grupi thuhet se gjithashtu kishte planifikuar vrasjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiç.  Autoritetet serbe kanë një histori të tolerimit të huliganizmit që shpesh ka rezultuar në dhunë dhe shpërthime të nacionalizmit në stadiume.

Ish-numri 1 i futbollit serb ka thënë gjithashtu se dëshiron të lejojë ekipin kombëtar të qëndrojë “në paqen dhe stabilitetin e nevojshëm” në funksion të startit të kualifikueseve të Kupës së Botës Katar 2022. Serbia do të luajë në shtëpi kundër Irlandës të Mërkurën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë