Gazeta Si – Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Admir Abrija është liruar nga detyra, pasi i ka dorëzuar këtë të mërkurë kërkesën për dorëheqje ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.
Sipas burimeve paraprake, Abrija do të emërohet në një post tjetër. Ai u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve në vitin 2021 nga ministri Ulsi Manja pas lirimit nga detyra të Agim Ismailit.
Dorëheqja e tij vjen edhe pas ngjarjes në burgun e Peqinit në fundit të dhjetorit 2023, ku i dënuari Sokol Mjacaj vrau me armë zjarri brenda qelisë një të burgosur tjetër. Një ngjarje që tronditi sistemin dhe administratën e burgjeve në Shqipëri.
Admir Abrija ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme, nga Garda e Republikës, te Dogana e deri si Prefekt i Tiranës.
I diplomuar për drejtësi, Abrija ka edhe licensën e avokatit. Ai ka punuar si oficer sigurie i Gardës së Republikës në vitin 1999 dhe më pas është bërë zëdhënës i këtij institucioni.
Më vonë, ka punuar si Shef Sigurie në Presidencë, në kohën kur ky institucion drejtohej nga Bamir Topi. Ai ka shërbyer edhe në radhët e policisë, ku ka mbajtur edhe postin e drejtuesit, mes të cilëve edhe Drejtorinë e Kufirit në Gjirokastër.
Më tej, Admir Abrija u emërua zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Doganave, ku kishte nën varësi sektorin e antikorrupsionit dhe hetimit. Pas këtij posti, ai do të emërohej si Prefekt i Tiranës, ndërsa prej 3 vitesh ishte në krye të Drejtorisë së Burgjeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




