Kosova

Dorëhiqet Isa Mustafa

Pas humbjes së zgjedhjeve, kryetari i Lidhjet Demokratike Isa Mustafa ka dhënë sot dorëheqjen, duke pranuar kështu përgjegjësinë politike mbi rezultatin zgjedhor të 14 shkurtit. Mustafa raportohet se ka dorëzuar dorëheqjen para strukturave të partisë pak minuta më parë.

Mediat në Prishtinë bëjnë me dije se Mustafa ka informuar anëtarët në fillim të mbledhjes së partisë. LDK ka shënuar humbjen më të thellë në historinë e saj në zgjedhje, duke marrë vetëm 13% të votave.

LDK nuk ka fituar në asnjë komunë, ndërsa ka humbur thellë edhe në komunat ku udhëheqin zyrtarë të këtij subjekti politik. Partia renditet në vendin e tretë me 102 mijë e 959 vota apo 13,08%.

“Në mbledhjen që thirra pas rezultatit të zgjedhjeve të fletvotimeve të numëruara deri më tani, deklarova se personalisht mendoj që rezultati është shumë i keq, nuk e kemi pritur fare, edhe nga takimet që kemi patur në terren edhe nga puna që e ka bërë zoti Hoti”, ka thënë Mustafa për mediat.

Mustafa është pyetur nga gazetarët nëse arsyeja e humbjes së thellë në zgjedhje është Vjosa Osmani, por ka deklaruar se nuk mund ta shpjegojë atë që ka ndodhur.

“Unë atë që e shoh tani nuk mund ta shpjegoj, kemi një gjendje që nuk është sprovuar akoma që nuk e kemi pas kurrë kemi ndryshime të tilla për një periudhë kaq të shkurtër kohore, mbetet çështje e frymës, e qytetarëve. Vota është vullnet i qytetarit, për këtë arsye ne do të mobilizohemi që LDK-ja të kthehet prap”, ka thënë ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë