Pandemia po ristrukturon tregun e punës dhe evolucioni po ndodh me shpejtësi, sidomos në ekonomitë e mëdha. Në SHBA, Britani, Gjermani e Francë autoritetet kanë raportuar dorëheqje masive përgjatë vitit të kaluar.
Fenomeni po njihet si “Dorëheqja e madhe”. Në SHBA, vetëm përgjatë prillit të 2020 u raportuan 20.5 milionë dorëheqje në sektorin e punësimit. Fenomeni i ngjashëm u raportua edhe nga ekonomitë e tjera perëndimore.
Në Itali, si shembull nga prilli deri në qershor të vitit të kaluar pati pak më shumë se gjysmë milioni dorëheqje, pra largime vullnetare nga vendet e punës. Francesco Armillei, shkencëtar i London School of Economics thotë se dorëheqjet janë rritur me 37 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s.
Studiuesit po përpiqen të kuptojnë se çfarë po ndodh. Ata kanë identifikuar deri më tani një seri faktorësh dhe që të gjithë lidhen me pandeminë.
Së pari thonë se Covid ka rritur ndjeshëm stresin dhe ankthin te punonjësit, që në masë po vënë shëndetin para përfitimeve financiare të postit të punës.
Së dyti, përmendet në disa vende edhe detyrimi për t’u vaksinuar, si një faktor shtesë në këtë fenomen.
Së treti, largimi vullnetar nga vendet e punës mund të jetë pasojë e orientimit të tregut te punë “freelance” dhe nga distanca. Këto të fundit në shumë vende nuk regjistrohen të statistikat e punësimit. Kjo shpjegon faktin që shumica e të dorëhequrve janë punonjës të rinj nën 35 vjeç.
Faktori tjetër që besojnë studiuesit se po ndodh është ai i “restartimit” të ekonomisë dhe tregjeve të punës, ku dorëheqjet po ndodhin në sektorët ekonomikë në rënie dhe fuqia punëtore po orientohet te sektorët e tjerë më produktivë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




