Gazeta Si – Emërimet e Donald Trump vazhdojnë. Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës – i cili do të marrë zyrtarisht detyrën në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar – njoftoi në rrjetin e tij social “Truth” se Kimberly Guilfoyle, 55 vjeçe, ish-prezantuesja e rrjetit Fox News dhe ish-e dashura e djalit të tij të madh, Donald Jr., ku mediat amerikane raportojnë fundin e lidhjes së tyre – do të jetë ambasadore në Greqi.
“Për shumë vite, Kimberly ka qenë një mike dhe aleate e dashur, – ka shkruar Trump në postimin e tij. – Përvoja dhe lidershipi i saj i gjerë në fushën e ligjit, medias dhe politikës, së bashku me intelektin e saj të mprehtë, e bëjnë atë të kualifikuar në mënyrë unike për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara dhe për të mbrojtur interesat e saj jashtë vendit. Kimberly është pozicionuar në mënyrë unike për të nxitur marrëdhënie të forta dypalëshe me Greqinë, duke avancuar interesat tona për çështje që variojnë nga bashkëpunimi i mbrojtjes deri te inovacioni tregtar dhe ekonomik”.
Tabloidët amerikanë knë hulumtuar në orët e fundit për përfundimin ende jozyrtar të marrëdhënies mes Donald jr dhe Kimberly Guilfoyle: djali i miliarderit me sa duket është në një lidhje me Bettina Anderson dhe “çifti i ri” është fotografuar nga “Daily Mail” dorë për dore pas një shëtitje në Palm Beach.
Nga viti 2001 deri në 2006 Guilfoyle ishte gruaja e ish-kryebashkiakut të San Franciskos dhe tani guvernator i Kalifornisë, Gavin Newsom.
Ditët e fundit presidenti i zgjedhur kishte emëruar Charles Kushner, babanë e dhëndrit të tij Jared Kushner – bashkëshortin e vajzës së tij Ivanka – ambasador në Paris dhe Massad Boulos, babanë e dhëndrit tjetër të tij, Michael Boulos – bashkëshortin e vajzës së tij Tiffany – si i dërguar special në Lindjen e Mesme.
Një tjetër emërim nga presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, është ai i 77-vjeçarit Tom Barrack, si ambasador në Turqi, një aleat vendimtar i NATO-s.
Barrack, një sipërmarrës miliarder dhe mik i besuar i Trump, të cilit në vitin 2017 manjati i kishte besuar komisionin përgjegjës për organizimin e ceremonisë së inaugurimit në Shtëpinë e Bardhë, u arrestua në vitin 2021 me akuzën se kishte punuar fshehurazi për Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në “Truth”, Trump njoftoi gjithashtu emërimin e Andreë N. Ferguson si presidentin e ardhshëm të Komisionit Federal të Tregtisë (Fdc), agjencia e pavarur qeveritare që promovon mbrojtjen e konsumatorëve dhe ndan juridiksionin mbi zbatimin e ligjit antitrust me Departamentin e Drejtësisë civile federale.
Ferguson, një republikan, ish-avokat i përgjithshëm i Virxhinias, u emërua anëtar i FDC vitin e kaluar nga Joe Biden.
“Andrew, – shkruan Trump, – ka një histori të provuar në trajtimin e censurës së Big Tech dhe mbrojtjen e fjalës së lirë në vendin tonë të madh. Kur të betohet si Komisioner më 2 Prill 2025, ai do të jetë në gjendje të luftojë në emër të popullit amerikan që nga dita e parë e administratës sime”.
Një tjetër nominim që erdhi përmes rrjeteve sociale, është ai i Ronald Johnson si ambasador në Meksikë.
“Roni, – shkroi Trump, – do të punojë ngushtë me Sekretarin tonë të madh të Shtetit që unë emërova, Marco Rubio, për të promovuar sigurinë dhe prosperitetin e kombit tonë përmes politikave të forta të jashtme ‘America First’. Gjatë mandatit tim të parë, Ron shërbeu si ambasador në El Salvador, ku punoi pa u lodhur me autoritetet salvadorane dhe ekipin tonë për të ulur krimin e dhunshëm dhe emigracionin e paligjshëm në nivelet më të ulëta në histori. Ai gjithashtu i shërbeu vendit tonë për mbi njëzet vjet me CIA-n pas një karriere të shquar në ushtrinë amerikane si Beretë e Gjelbër… Së bashku do t’i japim fund krimit të emigrantëve, do të ndalojmë fluksin e paligjshëm të fentanilit dhe drogave të tjera të rrezikshme në vendin tonë dhe do të bëjmë Amerikën sërish një vend të sigurt”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.