Gazeta Si – Një derë që hapet. Një qese plehrash në dorë. Një hap nga burgu dhe pastaj një tjetër jashtë tij. Kështu u zhduk “në ajër” Xhevdet Plaku, 44 vjeç, shqiptar, i akuzuar për dy vrasje dhe një karrierë si trafikant ndërkombëtar droge.
Një arratisje e heshtur, pa spektakël, por dukshëm e studiuar me përpikëri nga i ashtuquajturi “Akili”, i cili u tentua të vritej nga një grup kriminal në Shqipëri për hakmarrje.
Emri i Xhevdet Plakut doli dhe në dosjen e SPAK për grupin e trafikut të drogës, pjesë e së cilës ishte dhe ish-shef i Krimeve të Komisariatit nr. 6 në Tiranë, Dedan Gjoni dhe Erzen Breçani.
Zbardhja e përgjimeve të “Sky ECC”, zbuluan se “Akili”, i cili përdorte 25 identitete, i akuzuar si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës me qendër në Amsterdam, u tentua të vritej nga “i forti i Shijakut”, Rexhep Rapi më 17 shtator 2019.
Ndërkohë, që nga mëngjesi i të enjtes, rreth burgut Barcaglione në Itali, ka nisur një gjueti e vërtetë ndaj tij me policinë që kërkon nëpër fusha, shtëpi fermash dhe shtigje. Por nga Plaku, nuk ka asnjë gjurmë.
Arratisja
Plaku ishte një i burgosur model në Ankona dhe për pak muaj do të kishte përfunduar dënimin. Kjo i kishte mundësuar që tre muaj më parë të aksesonte regjimin e parashikuar nga neni 21 i Rregullores së Vuajtjes së Dënimit.
E përkthyer: punë në ambientet e jashtme të burgut, pa shoqërim nga gardianët. Të enjten në mëngjes rreth orës 8.30, shqiptari ka dalë për të zbrazur koshat e mbeturinave të burgut. Një rutinë e përditshme, në dukje banale, e cila u shndërrua në një arratisje, deri tani, perfekte.
Alarmi
Në orën 11.30, kur punonjësit e vuajtjes së dënimit kanë kryer kontrollet rituale, por Plaku nuk i është përgjigjur thirrjes. Më pas alarmi u ngrit menjëherë me gjithë policinë që kërkon ende për gjurmët e tij.
Sipërfaqja përreth zonës së Barcaglione-s është e madhe, e përbërë nga fusha, korije dhe shtëpi fermash të vjetra të braktisura.
Por është si të kërkosh një gjilpërë në një kashtë dhe i burgosuri i arratisur duket se është zhdukur “në ajër”.
Kush është Xhevdet Plaku
Megjithatë, Xhevdet Plaku nuk është një kriminel. Ai ka një “emër” në botën e krimit. Shqiptari akuzohet për dy vrasje. E para në vitin 2000, e Sali Rapit në Borghetto Santo Spirito, në zonën e Savonës: një ekzekutim gjakftohtë, një goditje me armë zjarri në kokën e bashkëkombësit të tij për një larje hesapesh mes bandave kriminale.
E dyta, tre vjet më vonë, në Durrës, ku u kthye për të jetuar. Në vitin 2019, u shfaq edhe një plan për të eliminuar pikërisht Plakun në Shqipëri, me dyshimin për t’u hakmarrë për Rapin.
Megjithatë, prita nuk u krye kurrë dhe plani i vrasësve, ku i përfshirë ishte edhe ish-Shefi i Krimeve, Dedan Gjoni, dështoi.
Por nuk mjafton. Plaku është gjithashtu në krye të një organizate kriminale që importonte kokainë nga Holanda dhe Belgjika.
Pakot e lëndëve narkotike kishin emra që dukej se kishin dalë nga një katalog mode: “Hermes” për cilësinë më të pastër, “PlayBoy” për cilësinë më të dobët. Ai u arrestua në Shqipëri në vitin 2010, më pas u ekstradua në Itali në vitin 2013.
Por pati një gabim drejtësie, që e la të zhdukej për pak kohë. Herën e fundit, ai ishte arrestuar në Itali për krime të lidhura me trafikun e drogës dhe vuante një dënim prej dy vitesh, të cilat po i përfundonte.
Hetimet
Për hetuesit, gjithçka tregon drejt një arratisjeje të planifikuar. Plaku ka pritur momentin e duhur dhe është mësuar të jetë në arrati: di të lëvizë, të përfshihet dhe kjo është shqetësuese për autoritetet italiane.
Ai ndoshta ka pasur një bashkëpunëtor jashtë gati për ta ndihmuar. Ndoshta një makinë e fshehur pranë burgut, ndoshta një rrjet kontaktesh të aktivizuara në kohën e duhur.
Tentativa për vrasjen e Plakut, dënimet e GJKKO
Në 21 tetor 2024, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi me 19.4 vite burgim në total 4 persona të akuzuar për tentativën e vrasjes së Xhevdet Plakut.
Kështu, Ramazan Rapi alias Kep Arapi është dënuar me 5 vite burgim. Ish-shefi i Krimeve në Durrës, Dedan Gjoni u dënua me 4.8 vite burgim. Po me 4.8 vite burg janë dënuar edhe Algert Rapi dhe Delvi Gjermëni.
Të gjithë të dënuarit u gjykuan me proces të shkurtuar dhe kanë përfituar nga ulja e dënimit në masën 1/3. Ekzekutimi i Plakut do të kryhej për hakmarrje, por plani për vrasjen e tij u zbulua falë përgjimeve të autoriteteve holandeze ndaj Dejvi Gjermenit.
I përfshirë dhe ish-shefi i Krimeve, Dedan Gjoni
Sipas materialeve të mbërritura pranë autoriteteve shqiptare, Gjoni në vitin 2019, me detyrë pranë Policisë së Durrësit, shoqëroi Xhevdet Plakun dhe njoftoi Gjermenin për orën se kur do ta lironte. Gjermeni më pas njoftoi Algert Rapin, nipin e Rexhep Rapit për të kryer ekzekutimin e Plakut.
Tentativa për vrasje dështoi, pasi Gjermeni kishte frikë se nga informacioni që dha do të zbulohej më vonë dhe gënjeu bashkëpunëtorët duke u thënë se shënjestra ishte larguar.
Nga hetimet e SPAK, gjithashtu rezultoi se shkak për atentatin e planifikuar që nuk u realizua, ishte pasi Rexhep Rapi dyshonte se Xhevdet Plaku ishte autor i vrasjes së një të afërmi të tij në Itali në vitin 2000.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.