Politike

Doli i katërti në garë, Kadilli pranon humbjen: Nuk iki, bashkëpunoj edhe me Bashën për manifestin politik

Në fund të procesit të votimit, Fatbardh Kadilli rezultoi i katërti më i votuari nga kandidatët në garën për kreun e PD-së me 667 vota.

Ai ishte edhe i pari që doli në një konferencë për shtyp nga selia e PD-së për të njoftuar se e njeh rezultatin e votimit, se nuk do të largohet nga partia por do të vijojë të punojë për të kërkuar mbështetje për manifestin e tij politik, të vetmin projekt, që sipas tij u paraqit në fushatën brenda partisë.

Në këtë projekt, Kadilli nuk përjashtoi bashkëpunimin edhe me Lulzim Bashën.

“Unë nuk jam Luli, unë e pranoj rezultatin. Manifesti politik për ringritjen e PD është projekti kryesor që demokratët kanë përpara. Me këtë manifest PD mund të ringrihet. Unë nuk iki, unë nuk dorëzohen, nuk krijoj parti të re, por do shpalos me këmbëngulje këtë projekt të ri. Vetëm kështu shqiptarët do të kenë një parti të tyre dhe politike bëhet frymëzim për qytetarin.

Unë do të vazhdoj komunikimin intensiv me demokratët dhe Luli është një nga demokratët. Ai është i ftuar  që t’i bashkohet ekipit të manifestit politik...

Unë do të vazhdoj komunikimin intensiv me demokratët. Ky projekt kishte propozime konkrete dhe con në një ndryshim rrënjësor të kësaj partie.

Jam i bindur që të gjithë demokratët do ta mbështesin dhe unë do ti drejtohem çdo instrumenti që ky të bëhet ligj në partinë tonë”, tha ai.

Kadilli tha se nuk e ka uruar Lulzim Bashën për fitoren, pasi sipas tij gara ishte e pabarabartë.

“Kjo garë është e pabarabartë, në këto kushte nuk mund ta uroj. Do ta uroja nëse do të dilte fitues nga një garë e barabartë.  Në këtë parti Luli më ka gjetur dhe do më lërë prapa. Në parti vijmë sepse kemi ide, bindje dhe interesa të përafërta”

Kadilli nuk preferoi të fliste as për kandidatët e tjerë në garë, por nuk la pa përmendur se në këtë proces, vetëm ai ofroi një projekt politik

Ai u pyet edhe për deklaratën e Sali Berishës për mundësinë e rikthimit në krye të partisë.

   “Sali Berisha ishte një figurë e plotë dominuese në jetën politike por besoj se PD ka nevojë për një propozim të ri, PD nuk ka nevojë të kthehet as tek Berisha dhe as tek Basha...”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë