Art dhe Kulture

Dokumentet zyrtare me gabime. Gjuhëtarët: Administrata ka kulturë të ulët gjuhësore, të testohen

Gazeta Si – Gjuha standarde shqipe këtë vit mbush 50 vjet qysh nga Kongresi i Drejtshkrimit, 1972.  Shqipja standarde duket se i ka realizuar mirë funksionet e saj si gjuhë zyrtare e shtetit, e medieve, shkollës dhe auditorëve, por ajo që çedon është shkelja e normave, pasi vetë gjuha e shtetarëve, deputetëve dhe sidomos shkresat zyrtare kanë gabime.

Gjuhëtarët pohojnë njëzëri se nëse shteti nxjerr shkresa me gabime gjuhësore edhe serioziteti i tij ka rënë dhe e pranojnë që gabimet në dokumentet zyrtare janë mjaft shqetësuese. 

Por pse dalin dokumentet me gabime? “Shkresat dalin me gabime të cilat janë dy llojesh: Njëra është formati i shkresës, mënyra se si ajo hartohet, janë disa kurse që ndiqen, por nga ana tjetër është ana gjuhësore, redaktoriale. Jo e gjithë administrata jonë, pavarësisht se kryeministri kërkoi qysh në marrjen e detyrës që shkresat e administratës së shtetit të redaktoheshin, të kishte redaktorë, në dijeninë time nuk është përmbushur gjithandej kjo gjë, për arsye nga më të ndryshmet, dhe jo në të gjitha tryezat ku hartohen shkresa ndodhet një fjalor apo dhe një korrektor elektronik i gjuhës shqipe”, thotë për Gazetasi.al profesor Shezai Rrokaj dhe shton që shprehjen e kryeministrit e ka përkrahur aso kohe, periudhë në të cilën ai ishte dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, pasi sipas tij është me vend që institucionet qendrore ta kenë një redaktor.  

Profesor Shezai Rrokaj

Sipas profesoreshë Mimoza Kores, kujdesi për zbatimin drejt të rregullave të gjuhës duket se pas viteve ’90 ra.

“Hapja me botën, kontakti me gjuhë të tjera, nevoja e një populli të vogël si i yni për të komunikuar me popuj të tjerë, për t’u integruar në shoqëri të tjera, bëri që vëmendja të ishte e shtuar për mësimin e gjuhëve të huaja. Gjuhëtarët iu ranë kambanave të alarmit. I pari që duhet të reagojë ndaj shkeljeve të normës duhet të jetë shteti, sepse dhe shqipen standarde, ndryshe e quajmë gjuha zyrtare”, shprehet Kore për Gazetasi.al.

Profesoreshë Mimoza Kore

Për gabimet në shkresat zyrtare, ajo thotë se vijnë nga kultura e ulët gjuhësore dhe mostërheqja e vëmendjes prej atyre që e kanë për detyrë.

“Shtetarë që bëjnë gabime në përdorimin e gjuhës standarde duhet të kuptojnë që kthehen në modele që ndiqen nga shumë të tjerë. Mendojmë që në çdo institucion shtetëror, në çdo medie duhet të këtë redaktorë me kulturë të mirë gjuhësore, me Fjalorin e gjuhës shqipe përherë mbi tavolinat e tyre. Ata, punën e tyre duhet ta shohin si mision”, vijon profesoreshë Kore për Gazetasi.al.

Edhe sipas pedagoges Elsa Rakipllari, çdo institucion shtetëror ose privat në dokumentacionin e vet duhet të zbatojë normën drejtshkrimore në fuqi dhe të ketë redaktorë gjuhësorë.

“Nëse njohuritë gjuhësore të punonjësve të institucionit nuk janë të mjaftueshme, atëherë një zgjidhje për problemin do të ishte punësimi i redaktorëve gjuhësorë, veçanërisht në ato institucione shtetërore të një rëndësie të veçantë. Aktualisht në vendin tonë, ka disa institucione të nivelit të lartë që kanë redaktorë gjuhësorë, siç mund të jetë në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, nëpër ministri, por, bie fjala, në gjykatat e rretheve, nuk ka redaktorë gjuhësorë, që të bëjnë redaktimin e vendimeve gjyqësore përpara se ato të shpallen”, shprehet pedagogia Skënderi për Gazetasi.al.

Pedagogia Elsa Skënderi

Sipas profesor Rrokaj, gabimet vijnë si për shkak të formimit parauniversitar, ashtu edhe atij universitar që kanë individë të caktuar.

Po çfarë rrugësh mund të ketë për t’ia dalë mbanë kësaj problematike?

“Duhet herë pas here administrata publike të testohet, sidomos ajo që është hartuese shkresash, sepse dokumenti i shtetit tregon fytyrën e shtetit, tregon se sa shteti respekton rregullat, ligjet. Gabimet në këto shkresa janë si një uniformë e mbajtur keq. Mund që administrata e shtetit të testohet nga universitet për shkallën e zotërimit të gjuhës standarde, por më shumë se kaq të mësojë të korrigjojë dobësitë që shfaqen në praktikën redaktoriale. Tjetër gjë është korrektesa e shtetit që duhet të marrë profesionistin, siç e kanë gazetat dhe shtëpitë botuese. Administrata duhet të konceptojë në organikën e vet edhe redaktorin si imazhin gjuhësor të korrektesës së tij”, shprehet profesor Rrokaj për Gazetasi.al.

Profesoreshë Mimoza Kore teksa kujton se Shqipëria ka pasur traditë të mirë në këtë drejtim që në qeverisjen e Ismail Qemalit, është e keqardhur që sot po bëhet një punë e paktë me shkrimin saktë të gjuhës shqipe.

“Qysh në qeverinë e Ismail Qemalit u ngrit komision që përkujdesej për gjuhën shqipe. Të ngrihen kurse trajnimi për redaktorët, të provohen njohuritë e tyre gjuhësore kur punësohen. Është detyrë e shtetit kontrolli i dijeve të mësuesve, i teksteve shkollore, i gjuhës së medieve”, shprehet ndër të tjera ajo për Gazetasi.al, ndërsa shton se “Koha e kërkon që të ketë edhe një ligj për mbrojtjen e gjuhës”.

Në fund, profesor Shezai Rrokaj nuk lë pa përmendur edhe një problematikë që e cilëson si një shqetësim publik, strukturat dhe fjalët e huaja.

“Në një shoqëri që hapet drejt botës së huaj, vetë gjuha ka nevojë sepse bashkë me objektin futet edhe fjala. P.sh fjala banane; ne nuk është se kishim një këtu dhe e rritnim vetë dhe t’i vinim një emër. Ata që janë të nevojshme do të futen, por çështja është se bashkë me grurin vijnë edhe egjrat”, përfundon ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë