Futboll

Dokumentar për vdekjen e Maradonës, dëshmojnë personazhet kyç në jetën e tij

Kanë kaluar gati 5 muaj nga vdekja e Diego Armando Maradonës, që ka lënë disa pyetje pa përgjigje. Hetimet vazhdojnë, pasi flitet për gabime nga ana e mjekëve, ndërsa ka edhe akuza për inkompetencë prej tyre. Një tjetër temë është ajo se çfarë roli kanë pasur njerëzit që i qëndronin afër dhe familja e ish-futbollistit të famshëm. Problemet fizike, droga, alkooli. Tani vjen edhe një dokumentar, që synon të hedhë dritë mbi vdekjen e argjentinasit.

Sipas “Olé”, dokumentari i titulluar "E vërteta mbi vdekjen e Diego Maradonës", synon të japë një shpjegim për shkaqet që e bënë ish-kapitenin e Argjentinës të vdiste në vetmi. Në dokumentar do të përdoren audio origjinale dhe dëshmi të padëgjuara më parë në lidhje me orët e fundit të jetës së Maradonës.

Diego Armando Maradona. Gazeta Si, 23 prill 2021

Duket se do të publikohen disa biseda të mjekëve që e kanë asistuar Maradonën para se të linte këtë botë. Po ashtu, do të ketë dëshmi të shumë personazheve me një rol të rëndësishëm në këtë ngjarje. Personazhe të ndryshëm të njohur dhe më pak të njohur do të diskutojnë se si dhe pse Maradona ndërroi jetë.

Do të flasin Colin Campbell Irigoyen, kirurgu që u përpoq ta sillte Maradonën në jetë, Lucas Farías, polici i parë që pa skenën, Carlos Cottaro që kishte detyrën ta ndihmon Diegon në luftën për vartësinë nga alkooli dhe Rocío Frank, masazhatorja. Të gjithë kanë dhënë variantin e tyre të fakteve, që do të ndihmojnë në zbulimin e së vërtetës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë