Art dhe Kulture

“DokuFest”, para se të nisë në Prizren, prezantohet në Tiranë

Pas një viti pauze, festivali më i madh i filmit të shkurtër dhe dokumentar, “DokuFest”, i cili zhvillohet në Prizren, ka përzgjedhur Tiranën për startimin e këtij edicioni.

Drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari, ka folur në lidhje me programin e edicionit të 20-të të DokuFest-it, si dhe mbi aktivitetet e tjera që do jenë pjesë e eventit.

Nurkollari është shprehur se prezantimi i këtij festivali në Tiranë tashmë është bërë një traditë.

“Vijmë për të prezantuar një pjesë të programit të DokuFest-it dhe po ashtu për ta bërë një ftesë gjithë Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve, të vijnë, të rikthehen në Prizren, meqenëse DokuFest po rikthehet pas një viti pauze, pas një viti të vështirë, jo vetëm për ne, por për të gjithë. Jemi të gëzuar, të entuziazmuar për mundësinë e bërjes së festivalit fizikisht, me një pjesë të vogël online”, është shprehur ndër të tjera drejtori artistik i festivalit.  

Sipas organizatorëve, në festival do të shfaqen 106 filma në tetë kategori garuese nga shtete të ndryshme, por edhe filma jashtë garës, enkas për këtë edicion të festivalit.

DokuFest do të mbahet në qytetin e Prizrenit në datat 6-14 gusht dhe përveç shfaqjes së filmave nuk do të mungojnë as tryezat e debatit, ligjëratat dhe ekspozita me fotografi.

Një ndër risitë e këtij edicioni do të jenë edhe performancat muzikore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë