Art dhe Kulture

“Doktor Shuster” në teatrin turk/ Zamira Kita: Vlerësim për ne

Komedia dramatike “Doktor Shuster”, një ndër shfaqjet më të vlerësuara që vjen si produksion i teatrit Andon Zako Çajupi në Korçë, së fundi është ngjitur në skenën e teatrit turk duke sjellë emocione tek publiku artdashës dhe profesionisët.

Shkruar nga pena e Dushan Kovacevic dhe në regjinë e Qendrim Rijani përmes kësaj vepre dramatike, Shqipëria bëhet pjesë për herë të parë e festivalit të teatrove të Ballkanit në Turqi.

Zamira Kita, drejtore e teatrit Andon Zako Çajupi e njëkohësisht në rolin e saj si aktore shprehet se shfaqja u vlerësua shumë dhe sipas saj, kjo është mundësi shumë e mirë bashkëpunimi.

“Teatri ‘A.Z.Çajupi’ përfaqësoi Shqipërinë në Festivalin Ballkanik të Teatrit në Bursa Turqi, me veprën “Doktor Shuster” nga Dushan Kovacevic, me regji nga Qendrim Rijani. Shfaqja u vlerësua shumë, si nga publiku ashtu edhe nga profesionistët, artistë dhe kolegë. Këto festivale kanë vlerë të padiskutueshme sepse ne këmbejmë eksperiencat me njëri-tjetrin dhe vemë këto ura bashkëpunimi.

Faleminderit organizatorëve që na ftuan dhe besuan te teatri ynë!”, shkruan drejtoresha e Teatrit, Zamira Kita.

Drama “Doktor Shuster”, është një shfaqje e realizuar 7 vite më parë dhe fituese e tre çmimeve të tjera, ku në role interpretuese në festival vijnë trupa e aktorëve të Korçës: Sotiraq Bratko, Zamira Kita, Dritero Ame, Blerta Belliu, Shkelqim Jaupi, Niki Petriti, Flori Topra, Gloria Nure, Eni Malesia, Flavia Zere, Panajot Qorri.

Mesazhet që përcjell kjo komedi janë komplekse, që nga respekti për të moshuarin, për të vdekurin, te marrëdhënia me Zotin. Në komedinë e zezë që erdhi në skenë nga regjisori Rijani, gjithçka rrotullohet rreth 7 karrocave invalidësh, të cilat metaforikisht trajtojnë handikapin e shoqërisë sonë mbi të vërtetat tronditëse si raporti baba-fëmijë, burrë-grua, motër-vëlla, vëlla-vëlla.

Komedia dramatike “Doktor Shuster” përmban brenda saj gjithë problematikën e rajonit të Ballkanit. Ndërsa elementi “karrocë” vjen si përkrahje ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara, dhe keqardhja është ajo gjë për të cilën ata kanë sa më pak nevojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë