Kreu i doganës shqiptare Gjon Bardhi bën me dije për publikun se transporti i mallrave vazhdon 24 orë pa pushim në doganat shqiptare.
“Po ashtu në bazë të VKM, “Për miratimin e propozimit të përbashkët të përgatitur nga Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit dhe Sekretariati i CEFTA-s, për të lehtësuar transportin e mallrave të nevojës së parë brenda Ballkanit Perëndimor”, palët e CEFTA kanë përcaktuar pikat “të gjelbra” prioritare të kalimit kufitar, të cilat për Republikën e Shqipërisë janë degët doganore Durrës, Morinë, Shkodër (Hani i Hotit), Qafë Thanë dhe Kakavijë.
Shërbimet dhe procedurat operacionale vijojnë ndaj operatorëve ekonomikë dhe të gjithë zinxhirit të importuesve dhe transportueseve të mallrave 24 orë, duke krijuar lehtësi për mallrat ushqimore, për të cilat nuk ka patur asnjë pengesë deri tani në të gjitha Degët Doganore.
Sekretariati i CEFTA-s në bashkëpunim me të gjithë vendet anëtare ka përpiluar gjithashtu, një listë me mallra me rëndësi parësore në funksion të përballimit të situatës së shkaktuar nga COVID 19, nga popullata dhe autoritetet shëndetësore. Lista e mallrave përfshin produkte ushqimore, medikamente, dizinfentantë, maska, doreza, pajisje mjekësore, etj.
“Si të tilla, të gjitha palët e CEFTA janë dakordësuar që autoritetet doganore dhe autoritetet e tjera që operojnë në kufi, të përshpejtojnë kalimin e këtyre mallrave në kufi përmes krijimit të korridoreve/korsive “të gjelbra”. Mjetet që transportojnë këto mallra, janë të autorizuara të anashkalojnë çdo radhë të mundshme në hyrje/dalje nga territoret e palëve të CEFTA, si dhe do të kenë përparësi në kryerjen e të gjitha procedurave, përfshirë kontrollet doganore dhe ato të autoriteteve të tjera që operojnë në kufi.”- shprehet kreu i Doganës shqiptare.
Ai tthotë se autoritetet doganore të palëve të CEFTA, njoftohen paraprakisht mbi mbërritjen e këtyre mallrave të nevojës parësore, nëpërmjet sistemit elektronik të shkëmbimit të të dhënave SEED. Ky informacion u përcillet në kohë reale, të gjitha autoriteteve të tjera, sipas pikave të kontaktit të përcaktuara paraprakisht prej tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




