Biznes

‘Do varet nga qeveria. Cënon biznesin’. Shoqatat e Tregtisë kundërshtojnë krijimin e Dhomës Ekonomike

Nga Gazeta 'SI' - Një muaj pas publikimit të pr.ligjit për krijimin e një Dhome Ekonomike Kombëtare, DHEK, dhomat aktuale të biznesit në vend kanë shprehur rezervat e tyre.

Në komentet dërguar ministrisë së shtetit për Sipërmarrjen gjatë konsultimit publik, Dhoma Amerikane e Tregtisë, AmCham, kundërshton marrjen e kompetencave nga DHEK për shërbimet e biznesit, si edhe tarifën e regjistrimit, pasi do të krijojë kosto shtesë.

Dhoma Amerikane thotë se drafti ka mangësi teknike dhe se nuk shoqërohet me hulumtime që kanë studiuar situatën e biznesit në vend. Projektligji nuk ka asnjë analizë kosto-përfitim dhe e bën të padobishëm për reformën, shkruan AmCham.

“Një projektligj nuk mund të jetë vetëm shprehje e një vullneti politik, por refleksion i njëkohshëm i çështjeve politike, ekonomike dhe sociale për t'iu përgjigjur në mënyrë adekuate nevojave të shoqërisë në të bërin biznes. Prezenca e palëve të interesit gjatë procesit të hartimit të aktit dhe marrja në konsideratë e komenteve mund të sillte një rezultat më pranë pritshmërive”, shpreh ndër të tjera Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri.

Me të njëjtat komente si Dhoma Amerikane edhe Dhoma Italiane ka shprehur kundërshtitë e saj për draftligjin.

Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri, FIAA, përmend si shqetësim varësinë e DHEK nga ministria, duke e bërë atë të pavarur dhe cënon të drejtën e biznesit për  përfaqësim të lirë.

“...Draft ligji ende cënon të drejtën e biznesit për t’u vetëpërfaqësuar në mënyrë të lirë dhe të pandikuar nga qeveria, çka përbën një cënim të rëndësishëm të lirisë së tregut dhe një precedent të rrezikshëm për vendin ton”, shkruan FIAA.

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë thotë në konsultim se DHEK nuk ka ndryshime nga organizimi i dhomave të tregtisë të parashikuar nga me ligjin aktual.

“Ligji sjell si risi ngritjen e këshillave sektorialë dhe nënsektorialë, duke mos vajtur larg organizmit që dhomat kanë sot, të bazuar në departamente, që mbulojnë sektorët ekonomikë më të rëndësishëm. Përcaktimi i disa prej funksioneve të rëndësishme të Dhomës Ekonomike Kombëtare, Dhomave ekonomike rajonale dhe këshillave sektorialë dhe nën sektorialë, duhet të ishte i qartë dhe pa mbivendosje. Ky draft nuk parashikon asnjë instrument real lidhur me vjeljen e kuotave të anëtarësimit, dhe për këtë arsye, mendojmë që sistemi nuk do të ketë nje stabilitet ekonomik të qëndrueshëm për të realizuar qëllimin”, thuhet në komentet e Bashkimit të Dhomave.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTIT), kundërshton një pikë të draftit, atë të shmangies së detyrimit të subjekteve tregtare për anëtarësim të detyruar në Dhomën Ekonomike Kombëtare.

“E konsiderojmë të pavend, përmbajtjen e pikës 4 dhe 5 të këtij neni, ku propozuesi i draftligjit, Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, synon që të bëjë një “favorizim”, për të shmangur detyrimin e anëtarësimit të detyruar të subjekteve tregtare që janë anëtare të dhomave bilaterale. Thelbi i pikës 4 dhe 5 krijon precedentin e marrjes së shumë inciativave, që pas miratimit të këtij drafti, të lindin shumë dhoma bilaterale vetëm me synimin për të shmangur detyrimin e tarifës për anëtarësim në Dhomën Ekonomike Kombëtare. Meqenëse Dhomat bilaterale nuk janë të regjistruara me ligj të veçantë, por të regjistruara në gjykatë si organizata të shoqërisë civile /shoqata, çdo subjekt tregtar nuk duhet të përjashtohet nga anëtarësimi i detyruar në respekt të pikës 1 të nenit 11,” thuhet në komentin e DHTIT.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë