Lajme

Do trafikonin 26-vjeçaren drejt Francës, 3 të arrestuar në Tiranë

Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të tentativës për trafikim të qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimi për prostitucion. Në sajë të operacionit “Tranzit”, janë vënë në pranga dy shtetas si dhe një punonjëse e Policisë Kufitare Rinas. Policia bën me dije se kanë përfunduar në pranga shtetasit:
A. K., 29 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
A. Ç., 26 vjeç, lindur dhe banues në Librazhd.
Mësohet se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas kanë tentuar të trafikojnë drejt Francës me qëllim shfrytëzimi për prostitucion një shtetase 26-vjeçare, të cilën do ta priste në Francë shtetasi K. B., 33 vjeç. Ky shtetas dyshohet se do ta shfrytëzonte për prostitucion.
Siç njofton policia shtetasi K. B, është shpallur në kërkim dhe në bashkëpunim me Policinë Franceze po punohet për kapjen e tij. Po ashtu është arrestuar në flagrancë edhe shtetasja F. K., 30 vjeç, me detyrë kontrollore pranë Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas Tiranë.
Kjo shtetase dyshohet se me veprimet e saj kundrejt ryshfetit dyshohet të ketë ndihmuar dhe lehtësuar procedurat e kalimit deri në zonën tranzit të Rinasit për shtetasen 26-vjeçare.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale të “Trafikim i personave”, “Shfrytëzimit të prostitucionit”, “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë