Politike

‘Do të jem edhe kryebashkiaku i demokratëve’, Veliaj falenderon patronazhistët dhe aktivistët për fitoren

Kryetari i Bashkisë Tiranë, i cili në këto zgjedhje siguroi një mandat të radhës për drejtimin e kryeqytetit mbajti nga selia rozë fjalimin e fitores.

Gjatë fjalës së tij, Erion Veliaj theksoi se PS nuk fitoi vetëm bashkinë e madhe, por ka fituar masivisht në të 27 njësitë e kryeqytetit.

"Fituam 27 me zero. PS është forca zhvilluese që e çon jo vetëm Tiranën por çdo njësi tonën vetëm përpara. Çdo shqetësim për qytetin do të gjejë zgjidhje duke nisur nga nesër".

Veliaj nuk ngurroi që të falënderonte skuadrën e patronazhistëve dhe aktivistëve për punën, që sipas tij, kanë bërë në rrugicat dhe lagjet e qytetit.

Kryebashkiaku përmendi edhe “stadiumet bosh” të kundërshtarit politik teksa shtoi se mitingjet e PS, sipas tij, në disa raste ishin edhe me kosto zero.

Megjithatë, Veliaj theksoi se do të jetë kryebashkiaku edhe i demokratëve.

Kreu i Bashkisë Tiranë tha po ashtu se i shtrin dorën e bashkëpunimit kundërshtarëve të tij politikë në garën për kryeqytetin, Belind Këlliçit, Roland Bejkos, Lajla Përnaskës, Arlind Qorit dhe Marko Dajtit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë