Vende dhe Udhetime

‘Djepi’ i vërtetë i çokollatës në botë

Ka shumë kompani artizanale çokollate në Belize, Amerikë e veriut që po mundohen të rikthejnë trashëgiminë e çokollatës.

Abelina Cho njihet në Belize si “Mbretëresha e çokollatës”.

Cho jeton në San Felipe, një fshat me 330 familje dhe pesë kisha. Ndodhet brenda Toledo-s, qendra bujqësore e Belizes, ku kulturat e bollshme përfshijnë banane dhe misër. Aty, pemët e larta të pyjeve tropikale krijojnë tenda me gjethe të xhunglës, lumenjtë rrjedhin të pastër dhe shtëpitë me çati prej kashte të familjeve Maya mbulojnë shpatet e kodrave. Ky është edhe djepi i çokollatës.

Kakao, përbërësi kryesor për çokollatën u konsumua dhe u përdor nga mbretërit e lashtë Maya dhe elitat politike në të gjithë rajonin historik të Mesoamerikës, i cili përfshinte Amerikën e Veriut dhe pjesën më të madhe të Amerikës Qendrore. Por jo të gjitha ato zona ishin të përshtatshme për kultivimin e kakaos.

Dëshmitë arkeologjike tregojnë për Belizen si qendrën më të hershme të kultivimit të kakaos, ku Mayat pinin kakao që në vitin 600 para erës sonë. Enët qeramike që duken si çajnik të lashta, të gjetura në vendin arkeologjik të Colha në Belize, përmbajnë ende mbetje kakao. Përdorimi i kakaos mund të gjurmohet edhe më tej tek Olmekët e Meksikës jugore rreth vitit 1500 pes, por është e paqartë se si e konsumoi ai qytetërim dhe janë Majat ata që janë marrë me fermentimin, tharjen dhe bluarjen e kakaos për konsum.

Abelina Cho nga Ixcacao njihet për shumë si “Mbretëresha e çokollatës”

Edhe pse kakaoja ka ekzistuar në njëfarë forme për mijëvjeçarë, për Cho dhe prodhues të tjerë të grupeve të vogla, ajo është gjithashtu pjesë e së tashmes dhe një çelës për të ardhmen.

Cho, së bashku me bashkëshortin e saj, Juan, janë pronarë të Ixcacao, një kompani çokollate që e bën çokollatën ashtu siç Maya e kanë shijuar për shekuj. Kjo çokollatë nuk është e ëmbël me qumësht ose sheqer. Është e errët ​​si mesnata. Në kafshimin e parë, është e ngurtë, por shkrihet me një butësi të habitshme. Pastaj vjen aroma, e hidhur dhe e pasur si kafeja e zezë e sapokrijuar, me një shije si frut.

“Kakaoja është aq e rëndësishme për kulturën tonë saqë është kultura jonë”, tha ajo. “Nuk mund ta ndash”.

Megjithëse këto pyje tropikale janë historia e origjinës së çokollatës, sapo kakaoja u soll në Europë në vitet 1500, kolonizimi e zhvendosi narrativën te prodhuesit europianë të çokollatës. Me kalimin e kohës, ëmbëlsira u lidh më ngushtë me vende si Belgjika dhe Zvicra, sesa me vendet që e prodhonin. Por Majat në Belize nuk pushuan kurrë së prodhuari çokollatë dhe pemët vazhduan të jepnin fryte.

Kohët e fundit, vëmendja është rikthyer përsëri tek Belize.

Në vitin 1994, Green & Black’s (tani në pronësi të Mondelez International) krijoi Maya Gold, çokollatë organike, me përbërës nga Toledo por të prodhuara në vende të tjera.

Ajo që është e dukshme në përpjekjen për të rikthyer trashëgiminë në Belize, është se fokusi është drejtpërdrejt te kultivuesit dhe prodhuesit vendas, të cilët po bëjnë çokollatë të hollë duke përdorur metoda tradicionale, duke u mbështetur në një histori të gjatë Maya.

Kompania e çokollatës Ixcacao prodhon çokollata me shumë shije të ndryshme

Për të sjellë kakaon me cilësi të lartë përtej kufijve të Belizes, dy furnizues kryesorë, Maya Mountain Cacao dhe Shoqata e Kultivuesve të Kakaos Toledo, punojnë drejtpërdrejt me qindra ferma të vogla për të marrë kakao organike. Përpjekjet e tyre pothuajse kanë dyfishuar sasinë e eksporteve të kakaos brenda pesë viteve të fundit. Ndërkombëtarisht, Maya Mountain Cacao ka marrë vlerësime për metodat e saj inovative që centralizojnë përpunimin pas vjeljes, duke përmirësuar prodhimin dhe duke rritur aksesin në treg për kultivuesit. Në këtë model të tregtisë së drejtpërdrejtë, fermerët shesin farat e kakaos “të lagura” (të pafermentuara) te Maya Mountain Cacao, më pas kakaoja fermentohet dhe thahet në një vend, duke lejuar kontroll më të lartë të cilësisë, një produkt të qëndrueshëm dhe më shumë të ardhura për fermerët.

E gjithë kjo do të thotë: çokollata në Belize po merr vëmendjen që duhet. Festivali vjetor i çokollatës në Belize do të rikthehet së shpejti pas një pauze dyvjeçare. Shumë vendpushime luksoze, si Lodge at Chaa Creek, mburren me menutë e tyre që në përbërje kanë çokollatën.

Çokollata do të shpëtojë pyjet e shiut

Chos, si shumë fermerë Maya, janë përkrahës të bujqësisë së qëndrueshme dhe përdorin parimet indigjene të permakulturës. Toka e tyre është një model i tillë i biodiversitetit, studentët e universitetit nga e gjithë bota vizitojnë fermën për të mësuar prej tyre. Në themel të sistemit të tyre të besimit është se pemët e kakaos, me rrënjët e tyre të cekëta, parandalojnë erozionin dhe pasurojnë tokën për pemë frutore vendase dhe kultura të tjera.

“Kur flasim për çokollatën që shpëton pyjet e shiut, nuk është një mashtrim”, thotë Juan.

Në Ixcacao, farat e kakaos thahen në diell për dy javë, më pas piqen, qërohen dhe më në fund lyhen.

“Këto janë praktikat e qëndrueshme që e mbajnë komunitetin tonë të fortë”.

“Sa herë që bëjmë pije me çokollatë për mëngjes, sa herë që përshëndesim një mik apo vizitor me çokollatë, kjo na lidh me historinë tonë dhe na lidh me kulturën tonë”, tha Cho. “Ne gjithmonë kemi çokollatë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë