Njerez

Djemtë konfliktohen më shumë se më parë / Pavarësia personale dhe ndryshimi i brezave, arsyet pse të rinjtë shqiptarë grinden me prindërit

Nga Gazeta Si- Pavarësia personale është një nga arsyet pse të rinjtë shqiptarë zihen më së shumti me prindërit e tyre.

Në studimin e fundit nga Instituti Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) thuhet se vlerat lidhur me pavarësinë personale ndikojnë negativisht në shkallën e marrëveshjes me prindërit (veçanërisht në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoni, Rumani, Serbi dhe Turqi), duke nënkuptuar dallime brezash në pikëpamje mbi autonominë personale si një shkak i mundshëm i mosmarrëveshjeve dhe konflikteve të mundshme. Kjo marrëdhënie është më e fortë tek djemtë sesa tek vajzat.

☺ bazohet në përgjigjen ‘Kemi shkuar shumë mirë’. ☹ “Nuk shkojmë mirë” përfshin përgjigjet “Nuk shkojmë mirë, shpesh debatojmë” dhe “Marrëdhënie shumë konfliktuale”.

Në studim shkruhet se djemtë shqiptarë priren më së shumti të kenë konflikte me prindërit e tyre, ndërsa një rol kryesor luan edhe diferencat mes brazave.

Krahasimet me të dhënat e vitit 2018 tregojnë që në Shqipëri, djemtë raportojnë një rritje në mosmarrëveshjet me prindërit, duke shkuar nga 1.1 për qind në 4.4 për qind.

Edhe vajzat kanë një rritje të mosmarrëveshjeve me prindërit, nga 1 për qind në 2018 në 2.5 për qind në 2024.

Në studim thuhet se në rajon, të rinjtë janë të prirur të qëndrojnë në shtëpinë e prindërve edhe pasi krijojnë familjen e tyre dhe pikërisht kjo situatë mund të çojë në keqkuptime, konflikte dhe pakënaqësi mes dy palëve, “veçanërisht kur gjenerata e re ka vlera të reja individuale që nuk mund të realizohen me burimet ekzistuese personale dhe familjare”.

Ndërsa duke jetuar me prindërit, mosmarrëveshjet janë më të shpeshta, kur të rinjtë largohen, fillojnë të krijojnë një marrëdhënie më të shëndetshme, duke treguar se jetesa më vete sjell aspekte të tjera të autonomisë personale, nivele më të ulëta të kontrollit dhe nivele më të larta të marrëveshjes ndërmjet të rinjve dhe prindërit.

Gjithsesi, në total, të rinjtë në Kosovë dhe Shqipëri raportojnë marrëdhëniet më të mira me prindërit e tyre, në krahasim me të rinjtë në rajon. Në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Rumani, Serbi, Greqi dhe Turqi, vajzat kanë më shumë gjasa se djemtë të raportojnë marrëdhënie më pak harmonike me prindërit e tyre, e cila nxjerr në pah një model gjinor në mosmarrëveshjet e brezave dhe “sugjeron një sfidë potenciale trashëgiminë patriarkale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë