Kur Gazetasi.al vendosi të shohë nga afër se çfarë informacioni na jepet për një produkt të përditshëm, siç është djathi, u lamë pa përgjigje për pyetjen më të thjeshtë për çdo blerës: çfarë po hamë në të vërtetë?
Në raftet e banaqet e disa supermarketeve që vizituam gjen lloj-lloj djathrash.
Disa prej tyre janë të paketuara në qeska vakumi ku shkruhen përbërjet e produktit por nuk është i shënuar certifikimi i kompanisë që e ka prodhuar.

Disa të tjera janë në kuti plastike me shëllirë ku shkruhet përbërja e produktit por edhe certifikimi dhe disa rifuzho që vendosen në qese, të ndara në sasi të ndryshme dhe nuk kanë të shënuar as përbërësit dhe as certifikimin.

E vetmja gjë që prodhon etiketa kur e peshon tek kasa, është emri i kompanisë që e ka prodhuar (me raste edhe ky informacion mungon), pesha dhe çmimi sa kushton. Asnjë informacion më shumë!

Në pamje të parë, këto mund të shihen si ndryshime pa rëndësi por mungesa e informacionit prek drejtpërdrejt sigurinë ushqimore dhe të drejtën e konsumatorit për t’u informuar, ndërsa informacioni i plotë i ndihmon të gjithë!
Kur etiketa nuk tregon përbërjen, e as certifikimin dyshimet për cilësinë dhe origjinën e produktit bëhen të pashmangshme.
Etiketa e një produkti ushqimor nuk është thjesht një formalitet- ajo duhet të tregojë përbërësit, mënyrën e prodhimit, datën e skadencës dhe të dhëna të tjera thelbësore që i japin konsumatorit mundësinë të bëjë një zgjedhje të sigurt. Këtë e kërkon edhe ligji për “Etiketimet”, ku thuhet se cdo kompani është e detyruar të cilësojë në paketim përbërjen e produktit.
Kur këto të dhëna mungojnë, lind dyshimi se çfarë përmban në të vërtetë produkti, a është djathë i prodhuar nga qumështi, apo përmban yndyra bimore, aditivë apo konservantë që nuk deklarohen.
Edhe nëse mbyllim sytë para këtij detaji aspak të vogël, përballemi me një tjetër ‘përbërës’ që mungon- certifikimi!
Certifikimin ISO apo TUV, janë një standard ndërkombëtar që garantojnë se një kompani funksionon sipas rregullave të caktuara të cilësisë, sigurisë dhe menaxhimit.
Thënë kjo, në mungesë të një etikete, askush nuk na siguron se produkti, në rastin tonë djathi, është i sigurt dhe cilësor që të konsumohet.
Ndryshe nga sa mendohet shpesh, certifikimin ISO ose TUV nuk e merr vetë produkti, por kompania që e prodhon atë. Certifikohet fabrika apo stabilimenti por megjithatë, në shumë raste ky informacion nuk shfaqet në etiketën e produktit, kjo në përputhje me ligjin gjysmak, që nuk e ka të detyrueshëm përfshirjen e certifikimit në etiketë.
Në përputhje me rregullat dhe ‘të drejtë’ me konsumatorin janë vetëm produktet që kanë të shënuar përbërjen dhe certifikimin.
Duke qenë se këto 3 raste qëndrojnë në të njëjtin raft, konsmuatori ngelet në tymnajë, i pavendosur nëse duhet të paguajë rreth 1400 lekë apo 700 lekë, kur produkti është i njëjtë- pa përbërje dhe pa certifikim.

A e bën çmimi i lartë më të sigurt produktin apo në terr informacioni, është më mirë të zgjidhet ai më i liri?
Në këto raste, kompanitë duhej të kishin përfituar nga konkurrenca, për të ‘fituar’ blerës me një fjali të vetme.
Ekspertë të fushës thonë për Gazetasi.al se disa kompani zgjedhin ta vendosin certifikimin për arsye marketingu, për të rritur besueshmërinë tek konsumatori, por kjo nuk është një praktikë e detyrueshme.
Kjo do të thotë se një konsumator, në momentin që blen një produkt, nuk e ka gjithmonë të qartë nëse kompania që e ka prodhuar është e certifikuar sipas standardeve ndërkombëtare. Edhe në rastet kur kompania mund ta ketë certifikimin, mungesa e këtij informacioni në paketim e bën të vështirë verifikimin nga publiku.
Jo të gjithë konsumatorët janë në dijeni se çfarë është ‘certifikimi’ por vetëm të lexosh fjalinë “certifikuar nga ISO…” në sytë e qytetarit, ai produkt është më i sigurt për konsum.
Dhe këtë ‘kartë’, kompanitë duhet ta kishin përdorur, edhe pse ligji aktual nuk ua kërkon detyrimisht.
Pikërisht për këtë arsye, ekspertët sugjerojnë që produktet duhet të kenë në etiketë një informacion të qartë nëse prodhuesi i tyre është i certifikuar sipas standardeve ISO. Një shënim i tillë do t’i ndihmonte konsumatorët të kuptonin më mirë se kush qëndron pas produktit dhe sipas çfarë standardesh është realizuar procesi i prodhimit.

Për shumë njerëz që nuk kanë njohuri të detajuara për sistemet e standardizimit, një etiketë që tregon se prodhuesi është i certifikuar do të shërbente si një garanci shtesë për cilësinë dhe sigurinë e produktit.
Nga ana tjetër, kjo do të ishte edhe në interes të vetë kompanive serioze, të cilat investojnë për të marrë certifikime ndërkombëtare dhe për të respektuar standarde të larta prodhimi.
Transparenca në etiketim nuk është vetëm një detyrim teknik, por një e drejtë themelore e konsumatorit. Një etiketë e plotë- me përbërësit dhe informacionin për standardet e prodhimit- do të ndihmonte qytetarët të bëjnë zgjedhje më të sigurta dhe do të nxirrte në pah edhe kompanitë që respektojnë rregullat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje