Nga Gazeta Si- "Ne jemi pensionistë, por fati na detyroi të bëheshim prindër të mbesës tonë, që në moshën 6-javëshe, pasi nëna e braktisi dhe djali ishte i pafuqishëm ta rriste. Sot pas 1 viti në dyert e Gjykatës së Durrësit, ne jemi prindër kujdestarë të saj".
Kështu nisin të tregojnë historinë e familjes së tyre Bashkim Popa dhe bashkëshortja e tij nga Kavaja.
Pas divorcit, djali i tyre ka hequr dorë nga kujdestaria e vajzës, për shkak të problemeve shëndetësore.
Lauren Vogli, specialist i qendrës së ndihmës ligjore në Kavajë tregon se ky rast u asistua nga fillimi në fund, që nga procesi i divorcit, e deri me përfitimin e të drejtave që i lind gjyshërve si prindër kujdestarë.
"Para 3 muajsh u paraqita pranë qendrës së ndihmës juridike parësore në Kavajë për të kërkuar asistencë ligjore për plotësimin e dokumentacionit dhe përfitimin e ndihmës ekonomike dhe marrjen e certifikatës së pronësisë", thotë gjysh Bashkimi.
Ndihma ligjore falas, PNUD projekt pilot në 2019
Ergys Qirici, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Ndihmës Juridike tregon se me hartën e re territoriale, ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me zyrën e PNUD, prej vitit 2019, kanë hapur 12 qendra, të cilat aktualisht, që prej dhjetorit të vitit 2020 administrohen nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas në Ministrinë e Drejtësisë.
"Përveç Kavajës, qendra të tilla kemi hapur në Përmet, Kurbin, Pukë, ku nevojat e popullatës, kryesisht grupet vulnerabël për ndihmë ligjore janë të mëdha. Në këto qendra ofrohet jo vetëm këshillim ligjor falas por dhe përfaqësim në çështje gjyqësore me avokatë që paguhen nga ministria e Drejtësisë, siç është rasti i çiftit të pensionistëve që morën kujdestarinë e mbesës", thotë Qirici.
Gjyqet e divorcit, kërkesat më të larta për ndihmë ligjore falas
10-mujori i këtij viti numëron mbi 5400 qytetarë që kanë përfituar ndihmë juridike falas dhe mbi 500 vendime gjykate për përfaqësimin e tyre me avokatë të shtetit, i cili merr përsipër dhe shpenzimet gjyqësore.
Sipas Greta Nucellit, nga Drejtoria e ndihmës juridike falas, kërkesat më të larta për ndihmë ligjore falas janë nga qytetarë që duan të divorcohen.
"Zgjidhja e martesës zë vendin e parë në çështjet gjyqësore, më pas renditen problematikat me skemat sociale, abuzimet me faturat e energjisë si dhe problemet me pronësinë.
Përfaqësuesja e PNUD, Nora Kushti, thotë për Gazetasi.al se ndihma ligjore falas është një e drejtë që i takon të gjithë grupeve vulnerabël që nuk mund të paguajnë një avokat.
"Qendra e ndihmës juridike falas në Vlorë, është projekt i mbështetur nga qeveria austriake dhe zbatuar nga PNUD në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë. Duke e konsideruar drejtësinë si një “shërbim thelbësor”, PNUD vijon mbështetjen ndaj Ministrisë dhe ofruesve të ndihmës juridike falas në komunitet për sigurimin e shërbimeve të pandërprera të ndihmës juridike për komunitetet në nevojë, për të siguruar një të drejtë themelore të njeriut siç është ndihma juridike dhe aksesi në drejtësi”, thotë Kushti.
Qendrat e ndihmës juridike falas janë hapur në bashkinë e Shkodrës, Peshkopisë, Lezhës, Durrësit, Vlorës, Fierit, Pogradecit, Korçës, Beratit, Elbasanit, Kukësit dhe Gjirokastrës, ku shërbehet në mënyrë të pandërprerë, gjithëpërfshirëse dhe të barabartë.
Kategoritë kryesore që kanë përfituar ndihmë juridike falas, janë personat me të ardhura të pamjaftueshme ose pa të ardhura, të ndjekur nga të moshuarit/pensionistët, personat me aftësi të kufizuar, anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian, viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Që prej vitit 2019 deri në shtator të vitit 2024 në total 10.438 persona në nevojë kanë përfituar shërbim juridik falas në këto 12 qendra, nga të cilët 5488 janë gra dhe 4950 burra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.