“Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij”, do të shprehej gjuhëtari dhe albanologu shqiptar, Eqerem Çabej.
Nën patronazhin e UNESCO-s dhe Byrosë Rajonale për Shkencë dhe Kulturë në Europë, sot (21 shkurti) shënohet si Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, 21 Shkurti.
Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në 1999 në përkujtim të protestave të studentëve të universitetit Dhaka, me origjinë nga Bengali, të cilët u konfrontuan me policinë pakistaneze për të mbrojtur gjuhën e tyre bengaleze si gjuhë zyrtare.
Prej kësaj date, vendet anëtare të OKB-së organizojnë tubime promovuese dhe ndërgjegjësuese të natyrave të ndryshme në mbrojtje të diversitetit gjuhësor e kulturor të gjuhës amtare si dhe të shumëgjuhësisë brenda shteteve. Edhe në Shqipëri, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar, organizoi konferencën me titull “Shqipja, shoqëria, e ardhmja”, duke bërë bashkë gjuhëtarë, studiues të shqipes. Sipas gjuhëtarëve, një ndër problemet që prek gjuhën shqipe është përdorimi i fjalëve të huaja.
Pjesë e familjes së gjuhëve indoevropiane shqipja do të tërhiqte herët vëmendjen e filologëve të huaj, për mundësitë e pafund të shprehjes, forcën dhe “peizazhin e saj të brendshëm”, siç e përshkruante historiani gjerman Gottfried Schramm.
Historia e Gjuhës shqipe
Gjuha jonë daton që nga viti 1462, kur Imzot Pal Engjëlli, shkroi në shqip Formulën e Pagëzimit. Gjuha shqipe bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane, ku futen gjuhët indo-iraniane, greqishtja, gjuhët romane, gjuhët sllave e të tjera, ndërsa Meshari i Gjon Buzukut është libri më i vjetër i botuar dhe përkthimi i parë në gjuhën shqipe. Gjuha jonë është një degë e veçantë e kësaj familje dhe nuk ka asnjë lidhje me gjuhët e sotme indoevropiane. Përcaktimi i gjuhës shqipe si një ndër gjuhët indoevropiane u bë nga dijetari gjerman, Franz Bopp, i cili shkroi edhe librin “Ueber das Albanesische in scinen verëandtschaftlichen Bezichungen”, botuar në vitin 1854.
Gjithashtu, faktet historike kanë treguar se gjuha jonë është një ndër më të vjetrat në Ballkan, duke qenë se është vazhdim i ilirishtes. Që prej asaj kohe, fiset ilire nuk lejuan që gjuha e tyre të shuhej nga pushtimi romak, njëjtë siç bënë shqiptarët, në shumë luftëra të mëvonshme, pavarësisht se pushtimi osman ndikoi shumë. Por të parët tanë nuk e harruan gjuhën e tyre dhe në vitin 1879 u formua alfabeti i Shoqërisë së Stambollit (në kohën e pushtimit osman), i cili ishte i përshtatshëm për gjuhën shqipe dhe ku mund të gjejmë vepra të shumta që janë shkruar nga shkrimtarë të ndryshëm shqiptarë.
Më pas, alfabeti u rishikua dhe në vitin 1908 Kongresi i Manastirit miratoi alfabetin me të cilin shkruajmë dhe flasim edhe në ditët e sotme.
Prej kohësh, studiues të mëdhenj kanë hulumtuar mbi gjuhën tonë duke e krahasuar atë me gjuhë të tjera. Për sa u përket dialekteve, gjuha shqipe është një njësi gjuhësore që përputhet me të gjitha njësitë etnike. Ajo është e përbërë nga dy dialektet kryesore, Toskërishtja në Jug dhe Gegërishtja në Veri.
Në gegërishten e veriut përcaktohen edhe tre nënndarje. E para që përfshin të folurën e zonës së Shkodrës dhe Malësisë së Madhe dhe e dyta që përfshin të folurën e qyteteve si Durrësi, Tirana, Elbasani dhe rrethinat dhe e treta përfshin të folurën e krahinave të Kosovës dhe Dibrës.
E njëjta ndarje është edhe në dialektin e Toskëve, e para përkon me të folurën në zonën e Labërisë dhe të Çamërisë. Gjithashtu, gjenden larmi dialektore të toskëve tek shqiptaret e Italisë dhe Greqisë.
Nga se rrezikohet shqipja?
Gjuha shqipe u rezistoi dekadave të shumta, ndërkohë që gjuhëtarët kohët e fundit janë të shqetësuar, pasi shqipja është e rrezikuar nga trysnia e shumtë e fjalëve të huaja. Gjuhëtarë të ndryshëm herë pas here kanë theksuar se ndërveprimet ekonomike dhe kulturore me vende të tjera të botës, kanë bërë që gjuha shqipe të rrezikohet, duke u pasuruar me fjalë të huaja të panevojshme.
Gjuha shqipe, që prej periudhës së dokumentimit të saj në formën e shkruar, i është nënshtruar një evolucioni të vazhdueshëm. Që në veprat e autorëve të hershëm ruajtja, pasurimi dhe zhvillimi i gjuhës ka qenë një shqetësim kryesor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.