Lajme

Dita e Verës/ Llatja-qytetarëve: Qëndroni në shtëpi, festë vitin tjetër

Dita e Verës, një festë tradicionale që festohet më së shumti në Elbasan, këtë vit për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, si kurrë më parë nuk ka pasur festime.

Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, ka ripërsëritur lutjen për qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi. Për ta ka një premtim vitin tjetër do të bëhet një festë shumë e madhe.

“Këtë Ditë Vere, mijëra njerëz kishin menduar ta festonin në Elbasan për t’u argëtuar me aktivitet e parashikuara, për të shijuar gatimet tradicionale, për të vizituar pikat turistike të Elbasanit. Pa dyshim, do merrnit me vete edhe ballokumet e shijshme të amvisave tona. Sa bosh duket shtëpia jonë pa të gjithë ju, miqtë tanë që nuk na mungoni asnjë vit. Por shëndeti i të gjithëve ne është shumë i rëndësishëm. Ju kemi premtuar një festë shumë më të madhe vitin e ardhshëm, por ndërkaq po ju sjellim disa copëza nga Elbasani ynë. Janë fotografi 3D të qytetit, të pikave turistike, atraksioneve më të rëndësishme. Gëzuar Ditën e Verës me plot shëndet në familjet tuaja. Festojmë në shtëpi”, shkruan Llatja.

Deri më tani në Elbasan ka dy persona të infektuar nga koronavirusi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë