Teleskopi revolucionar James Webb ka hyrë në ditën e tretë të rrugëtimit 1.5 milion kilometrash, në përfundim të të cilit do të vendoset në atë që njihet si pika “Lagrange 2” me pritshmëritë se do t’i sjellë njerëzimit zbulime revolucionare sa i takon universit.
Udhëtimi pritet që të zgjasë rreth 30 ditë, ndërsa në ditën e tretë, Webb pritet që të kapë distancën e hënës, pra 384 mijë e 400 kilometra larg nga Toka. Teleskopi ka kryer rreth 26 për qind të distancës totale prej rreth 1.5 milion kilometrash.
Në ditën e tretë ai po udhëton me shpejtësi rreth 1,3 kilometra për sekondë dhe po kryen gradualisht hapjen dhe drejtimin e antenave në drejtim të Tokës. Ky është një proces automatik, së bashku me procesin e mëparshëm të hapjes së paneleve diellore, ndërsa për të gjitha proceset e mëvonshme do të jepet komanda nga Toka.
Pika “Lagrange 2” është pozicioni që u mundëson objekteve të vegjël që nën ndikimin e fushës gravitacionale të Diellit dhe të Tokës të ruajnë një orbitë të qëndrueshme. Kjo do të thotë se Webb, ndryshe nga Hubble nuk do të orbitojë rreth Tokës, por rreth Diellit.
Misioni për ta vendosur në këtë orbitë është faza më delikate e këtij operacioni historik për njerëzimit. NASA ka shpjeguar se një shtytje më e fortë nga sa është e nevojshme mund të nxjerrë teleskopin jashtë orbitës dhe në një kurs lëvizjeje të pakontrolluar në hapësirë.
Për këtë qëllim, Webb është i pajisur me një sistem automatik baterish, që të karikuara nga panelet diellore të tij do të marrin gradualisht kontrollin e furnizimit me energji të teleskopit, duke shkëputur furnizimin nga lënda djegëse që ka në serbator.
Në momentin që teleskopi do t’i afrohet pikës së stacionimit në “Lagrange 2”, pas 29 deri në 30 ditësh nga momenti i lëshimit, ai do të ulë shpejtësinë dhe do të parkohet ngadalë në shtëpinë e tij të re. Në këtë fazë, kontrolli njerëzor do të jetë i pakët, por domethënës në këtë ndërmarrje historike për njerëzimin.
Teleskopi i lëshua me sukses ditën e shtunë. Ai është investimi më i madh i të gjitha kohërave i njerëzimit në përpjekjen për të kuptuar gjenezat e universit. Webb ka kushtuar rreth 10 miliardë dollarë. Por, pse të shpenzosh një shumë kaq marramendëse për të parë hapësirën me teleskop, për më tepër që një i tillë ndodhet tashmë atje, i quajtur Hubble.
Hubble orbiton prej më shumë se tre dekadash rreth Tokës dhe falë tij shkencëtarët kanë arritur të identifikojnë një sërë fenomenesh hapësinore, përfshirë këtu edhe planete të mundshëm të banueshëm për njerëzimin.
Hubble është në gjendje që të kapë fenomene në një distancë prej miliona vitesh dritë larg. Ndryshimi është se Webb do ta bëjë këtë me miliarda vite dritë larg. Kjo është arsyeja se përse shkencëtarët besojnë se me këtë teleskop do të arrijnë që të kthehen pas në kohë me miliarda vite te ajo që njihet si “Epoke e errët” e universit.
Si? Drita kërkon 8 minuta që të mbërrijë nga Dielli në Tokë në një distancë prej 150 milionë kilometrash. Ndërkohë, drita e yllit më të afërt me sistemin tonë kërkon katër vite kohë. Kjo do të thotë se në Tokë nuk shihet gjendja reale e Diellit, por gjendja e tij para 8 minutash, po ashtu edhe ajo e yllit më të afërt me sistemin tonë nuk është gjendja momentale e tij, por ajo para 4 viteve.
Me James Webb shkencëtarët synojnë që të kapin dritën në një distancë prej miliarda vite dritë me shpresën që shifra do të arrijë te 13 miliardë vite drite larg, që sipas teorisë dhe besimit të përgjithshëm të shkencëtarëve është epoka e errët, kur sapo kishte nisur shfaqja e yjeve të parë në univers.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




