Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, Ambasada Amerikane në Tiranë ka bërë thirrje ndërgjegjësuese për mbrojtjen e planetit Tokë.
Sipas Ambasadës, shqetësimi për mirëqenien e planetit sa vjen e rritet, sidomos në njohjen e shtrirjes së ndotjes nga plastika.
“Sot është Dita e Tokës dhe mënyra më e mirë për të ndihmuar në këtë ditë është që të përfshiheni! Shqetësimi për mirëqenien e planetit tonë sa vjen e rritet, sidomos në njohjen e shtrirjes së ndotjes nga plastika. Sfida e Tokës 2020 do të krijojë të dhëna të hapura, në mënyrë që kërkimet të masin mirëqenien e planetit tonë dhe për këtë duhet ndihma juaj”, thuhet në mesazhin e ambasadës.
Ndërsa, presidenti Ilir Meta me anë të një postimi në “Facebook”, thekson se mbrojtja e tokës nuk duhet të trajtohet thjesht si propagandë në media, por të veprohet konkretisht në ruajtjen e biodiversitetit dhe ekosistemit, për ta bërë Shqipërinë një vend edhe më të bukur.
“Për një të ardhme më të shëndetshme të fëmijëve tanë, është detyra jonë ta mbrojmë tokën, shtëpinë tonë të përbashkët, duke treguar një kujdes e vëmendje më të shtuar për mjedisin dhe ekosistemin, ruajtjen e biodiversitetit të pasur dhe pyjeve të bukura të Shqipërisë. Mbrojtja e tokës dhe e mjedisit, nuk duhet trajtuar si propagandë mediatike! Të gjithë jemi dëshmitarë se si kurorat e gjelbërta, që duhet të ishin mushkëria e pacenueshme e qyteteve tona, fatkeqësisht janë dëmtuar nga ndërtimet pa kritere, një regres që duhet të marrë fund!”, shkruan presidenti Meta në “Facebook”.
Dita Ndërkombëtare e Tokës është një ditë që shërben për të dhënë alarmin për dëmet që njerëzimi u shkakton pyjeve, lumenjve, tokës dhe pasurive të tjera të natyrës dhe të reflektojë e sensibilizohet për të ndalur shkatërrimin e mëtejshëm të saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



