Lajme

Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës

Me këshillat e shenjtores shqiptare që pushtoi imagjinatën e botës, shumë njerëz kanë gjetur forcë në të përpjetat e tatëpjetat e rrugës së tyre.

“Nënë Tereza”, një grua me fytyrë të imët, të rrudhur, të plakur, është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim race, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore.

Lutjet e “Nënë Terezës”, e cila jetën e saj ia kushtoi bamirësisë, kanë bërë që ajo të shenjtërohet. Data 5 shtator në të cilën Nënë Tereza, që fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979, është shenjtëruar, është nata e përvjetorit të vdekjes së saj, e cila ka vdekur më 5 shtator 1997.

Nënë Tereza u shpall Shën Tereza e Kalkutës në një ceremoni madhështore fetare në sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan. Ceremonia u drejtua nga Papa Françesku i cili bëri edhe shpalljen e shenjtërimit para dhjetëra mijë pelegrinëve që mbushën sheshin qendror të selisë së shenjtë.

Ky shenjtërim foli shqip dhe në shesh ishin me mijëra shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e shumë vende të tjera.

5 shtatori, Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës është shpallur festë zyrtare në Shqipëri.

Këshilli i Ministrave të Shqipërisë miratoi një ndryshim në ligjin “Për festat zyrtare” në vend, sipas të cilit data 19 tetor që është Dita e Lumturimit të Nënë Terezës, zëvendësohet me datën 5 shtator, që është Dita e Shenjtërimit të saj. 5 shtatori i 2016-ës shënoi në kalendarin Apostol Ditën e Shenjtores shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës.

Personalitete të politikës shqiptare e kanë nisur ditën me nga një mesazh për ditën ndërkombëtare të bamirësisë dhe shenjtërimin e Shën Nënë Terezës. Kryeministri Rama, kreu i shtetit, Ilir Meta si dhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, me mesazhet e tyre i kanë ftuar shqiptarët të ecin nën frymëzimin e saj.

Nënë Tereza ka qenë një shembull solidariteti midis popujve për të gjithë botën, duke marrë çmimin Nobel për Paqen dhe duke u shpallur qytetare Nderi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ajo vetë thoshte që ishte shqiptare me origjinë, indiane me shtetësi, por që i përkiste gjithë botës. Nëna Tereza e cila është cilësuar nga Vatikani si Shenjtorja e Komunikimit, ka treguar që dialogu është me të vërtet i mundur dhe ajo fliste me të vërtet me të gjithë.

Ja dhe arsyeja përse Muzeu i saj është një udhëtim nëpërmjet imazheve, filmimeve të periudhës që u përket viteve 1931 deri në 1997 kur ajo shkoi në amshim.  Gjatë këtyre viteve imazhet dhe filmimet flasin për takimet e saj që shkojnë nga të varfrit e Kalkutës në Indi e deri te takimi me Lady Dianën, Arafatin, Regan, Pinoçetin, Fidel Castron, etj.  

Muzeu i saj në bazilikën, tempullin kombëtar “The Basilica of the National Shrine of the Immaculate Conception” në Uashington, DC, që u ngrit në nderim të kësaj Shenjtoreje, do të jetë një Qendër solidariteti i përhershëm, ku të gjitha përfitimet që do të mblidhen do përdoren për të financuar projekte të ndryshme sociale, për të vazhduar rrugën e saj.

Nënë Tereza u shua nga jeta më 5 shtator të vitit 1997, por vetëm fizikisht. Bota jeton edhe sot me kujtimin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë