Katar 2022

Dita e së vërtetës për Gjermaninë, me Spanjën është për ‘jetë e vdekje’

Gazeta Si – Në lojë është kualifikimi, prestigji dhe krenaria gjermane. Ndeshja e sotme me Spanjën është vërtet për ‘jetë a vdekje’ për skuadrën e Hansi Flik, pas atij starti mjaft zhgënjyes, humbjes me Japoninë.

Për të mbetur në garë për kalimin në 1/8-at e Katar 2022, ‘pancerat’ duhet të mundin një Spanjë në formë të shkëlqyer, që shënoi 7 gola në debutim ndaj Kosta Rikës. E vërteta është se edhe vetë specialistët gjermanë të futbollit, si Jurgen Klinsman për shembull, i japin pak shanse kualifikimi kësaj skuadre. Gjermania ka probleme, sidomos në mbrojtje.

Gavi feston golin ndaj Kosta Rikes. Gazeta Si, 27 nentor 2022

Spanja me siguri nuk do të tolerojë aspak, do të synojë fitoren e dytë për të treguar se është vërtet një skuadër e denjë për të pretenduar trofeun. ‘Djemtë e tmerrshëm’ të Luis Enrikës janë gati të godasin sërish, Gjermania është e paralajmëruar.

Në ndeshjet e tjera që luhen sot, Kroacia do të kërkojë fitoren e parë ndaj Kanadasë, Belgjika është favorite ndaj Marokut, ashtu si dhe Japonia ndaj Kosta Rikës.

Ndeshjet e sotme
Japoni-Kosta Rikë (11:00)
Belgjikë-Marok (14:00)
Kroaci-Kanada (17:00)
Spanjë-Gjermani (20:00)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë