Politike

Dita e presionit ndërkombëtar: Tani është koha për kompromis

Vizita e paralajmëruar e zv.ndihmëssekretarit për Europën dhe Euroazinë në Departamentin e Shtetit ka rritur “rivalitetin” me përfaqësinë e Bashkimit Europian, që përmes ambasadorit Luigi Soreca përcolli me tone më forta thirrjen për dhënien fund të krizës politike.

“Tani është koha për kompromis. Kompromis do të thotë që Qeveria dhe opozita të takohen në mesin e urës. Ura ekziston, thjesht duhet gjetur”, deklaroi ai për mediat.

Ambasadori foli edhe për reformën zgjedhore, ku ka nënvizuar domosdoshmërinë e zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Por, realizimi i plotë i këtyre rekomandimeve kërkojnë që më parë të “gjehet e ura” për të cilën tha se ekziston.

Megjithatë, për një pjesë të këtyre rekomandimeve, gishtin e drejton nga Qeveria dhe mazhoranca, duke nënkuptuar se ajo mund të ndërmarrë disa ndryshime, që ndoshta do të joshnin opozitën që të tërhiqej nga protesta e saj ekstreme.

Luigi Soreca

“Reforma zgjedhore mund të kryhet me ndryshime legjislative, por edhe me hapa që ndërmerren nga ana e qeverisë. Kur them që ka disa gjëra që mund të bëhen nga Qeveria në këtë fushë dhe këto janë gjërat që opozita i ka kërkuar, ka të bëjë me rekomandimet e OSBE-ODIHR, disa kërkojnë ndryshime legjislative dhe të tjera ndërhyrje nga qeveria”, shtoi ai.

Pikërisht Byroja e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së u mblodh këtë të hënë në Kopenhagen. Presidenti Ilir Meta Meta ishte i ftuar nderi. Në qendër të fjalës së mbajtur para kësaj byroje, Presidenti nuk kishte krizën politike shqiptare, por në takimin e veçantë që pati me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger kjo temë nuk u shmang.

Presidenti Meta vetë nuk e shpërndau tematikën e diskutimit, por vetë zyrtari i OSBE-së shkroi në Twitter se çfarë ishte diskutuar, mes të cilave edhe drejtuesi që do të pasojë Borchart në Shqipëri.

“Me Presidentin Meta diskutuam situatën aktuale në Shqipëri dhe sesi mund të ndihmojë OSBE. Diskutuam gjithashtu edhe për drejtimin e radhës të OSBE-së në Shqipëri dhe si ta pozicionojmë atë të suksesshëm”, shkruan Greminger.

Këta janë zërat e freskët ndërkombëtarë që nisën javën me komentimin e krizës politike në Tiranë. Këta zëra pritet që në 24 orët e ardhshme të përforcohen nga zërat amerikanë, që kulmojnë me vizitën e Matthew Palmer.

Matthew Palmer mbërrin këtë të hënë në Shqipëri në një vizitë që nga Ambasada Amerikane thanë për Gazetën “Si” se ishte pjesë e një turi ballkanik dhe pa lidhje me krizën politike në Tiranë. Por, agjenda e zv.ndihmës Sekretarit të Zyrës për Çështjet Europiane dhe Euroazisë në Tiranë nënkupton të kundërtën.

Me të zbritur në Shqipëri, takimin e parë zyrtar Palmer do ta ketë me Kryeministrin Edi Rama, pas orës 15:00. Ky do të jetë takimi i vetëm me politikanët shqiptarë në ditën e parë të vizitës.

Të martën, Palmer e nis ditën me një takim rreth mesditës me Lulzim Bashën, për të vazhduar më vonë me Monika Kryemadhin dhe mbyllur turin e takimeve me politikën me Presidentin Ilir Meta. Në fund, ai do të zhvillojë një takim me një grusht gazetarësh, ku pritet që të jepen më shumë detaje në lidhje me objektivin dhe rezultatet e vizitës, nëse ajo synon zgjidhjen e krizës politike në vend.

Matthew Palmer

Vizitës së Palmer i parapriu ndalesa e Jonathan More, ndihmëssekretar i Përgjithshëm në Departamentin Amerikan të Shtetit për Organizatat Ndërkombëtare, i cili zhvilloi disa takime, por dy u bënë publike, një me deputeten Rudina Hajdari, që refuzoi vendimin e grupit të PD-së për të djegur mandatet dhe një me ish-Kryeministri Berisha, ideatori kryesor i djegies së mandateve.

“Të dashur miq, unë pata një takim me ambasadorin Johnathan Moore, zëvendësi kryesor i ndihmës sekretarit të DASH, Zyra e Çështjeve të Organizatave Ndërkombëtare. Me ambasadorin Moore, që më parë ka drejtuar drejtorinë për Europën Jug-lindore në Departamentin e Shtetit dhe ka vizituar disa herë Shqipërinë, patëm një diskutim të zgjeruar dhe shkëmbim të hapur të pikëpamjeve për gjendjen dhe zhvillimet në Shqipëri”, shkruan Berisha në rrjetet sociale.

Përshtypjet nga takimi i ndau po përmes rrjeteve sociale edhe Rudina Hajdari.

“Aktorët politikë kanë përgjegjësinë që të angazhohen një orë e më parë në mënyrë serioze, të sinqertë dhe profesionale për të orientuar një zgjidhje politiko-institucionale afatgjatë në frymën e Kushtetutës që të jetë e gjithëpranueshme për t’i dhënë fund krizës së paprecedentë në cilën gjendet sot Shqipëria, me objektiv për të siguruar një zgjidhje që garanton në radhë të parë interesin e qytetarëve dhe të kombit për forcimin demokracisë dhe aspiratës Europiane”, shkruan ajo ndër të tjera.

Të gjitha këto takime, vizita e lëvizje duket se janë pjesë e presionit ndërkombëtar në një panorame më të gjerë, që ashtu si në maj të 2017 ka bërë bashkë sërish Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Bashkimin Europian në ndërmjetësimin e krizës, edhe pse të paktën për momentin nuk mund të flitet për një koordinim mes Brukselit dhe Uashingtonit.

Koordinimi mungon edhe për shkak të “halleve” të brendshme që kanë përfshirë BE-në, me zgjedhjet për Parlamentin Europian në sfond, por edhe për shkak të ftohjes së raporteve me SHBA, që pas marrjes së Presidencës nga Donald Trump.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë