Në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar ka nisur sot viti i ri shkollor 2022-2023.
Për herë të parë në shkollë do të shkojnë rreth 29 mijë nxënës, ndërsa në klasat e 10-ta rreth 27 mijë nxënës.
Gjatë këtij viti shkollor kanë përfituar tekste falas të gjithë nxënësit e arsimit bazë nga klasa e parë deri në klasën e 9-të, por edhe 16 kategori në nevojë, të veçanta, në arsimin e mesëm. Ata janë që nga statusi i jetimit, me vështirësi ekonomike në familje, nxënësit me aftësi të kufizuara, komuniteti rom dhe egjiptian, etj.
Risia këtë vit është se të gjithë nxënësit nga klasa e parë në të tretë, tekstet do të jenë falas me vetëm një përdorim, që do të thotë se nxënësit nuk e kanë detyrimin që në fund të vitit shkollor t’i dorëzojnë tekstet.
Për shkak të moshës së vogël dhe vështirësisë që kanë për t’u kujdesur mirë për librin, por se shumë tekste janë me shënime dhe kjo bëhet e vështirë që nxënësit e brezit tjetër t’i përdorin.
Gjithashtu gjatë këtij viti shkollor përmes paketës “Siguria në shkolla” do të garantohet më shumë siguri e mbrojtje, për të parandaluar çdo lloj rreziku që mund t’i shfaqet nxënësve.
Po sot për herë të parë në mbarë vendin do të këndohet himni i flamurit dhe që do të vijojë të këndohet çdo të hënë.
“Me himnin e 🇦🇱 flamurit, që këndohet sot nga të gjithë nxënësit në mbarë vendin, për të çelur siparin e vitit të ri shkollor, e që do të vijojë të këndohet çdo të hënë në të gjitha shkollat tona, ju uroj suksese e vit të mbarë!” shkruan ministrja e shkarkuar e Arsimit Evis Kushi.
Edhe këtë vit shkollor nuk kanë shpëtuar nga mësimi me dy turne. Në Durrës procesi i rindërtimit të shkollave nuk ka përfunduar ende, çka ka bërë që Zyra Rajonale Arsimore të marrë masat për të përshtatur mësimdhënien me turne.
Policia e Shtetit njoftoi se, për ditën e parë të shkollës në Tiranë, do të angazhohen në terren 300 efektivë të Policisë Bashkiake, si dhe 200 efektivë të Policisë Rrugore për të ndihmuar në menaxhimin e trafikut dhe sigurinë e nxënësve në shkolla gjatë procesit mësimor.
Plani i masave që përfshin detyrat e përgjithshme të shërbimeve të Policisë Bashkiake dhe Policia Rrugore u prezantua sot në prani të drejtuesve të dy institucioneve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.