Gazeta Si – Banorët e zonës së Rinasit janë përplasur me policinë gjatë protestës në ditën e dytë radhazi kundër vendimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Vendimi i marrë prej disa ditësh, devijon lëvizjen drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, duke e bërë me një sens lëvizjeje.
LEXO EDHE:
– Rruga e Rinasit me një sens kalimi, banorët protestojnë dhe përplasen me policinë
– Nga 1 maji, lëvizja drejt Rinasit do të bëhet me një sens
Sot ata kanë bllokuar rrugën, duke u ulur këmbëkryq dhe duke tentuar të vendosin goma makinash.
Policia ka ndërhyrë për të shpërndarë turmën, ndërsa ka një rezistencë prej tyre. Po ashtu, në mbështetje të policisë kanë mbërritur edhe forcat e FNSH-së.



FNSH ka tentuar që të largojë me forcë banorët nga rruga, ndërsa të pranishëm kanë qenë edhe fëmijë. Mësohet se disa banorë janë shoqëruar nga policia, ndërsa protesta është mbyllur pas rreth 3 orësh pa incidente të tjera.
Ata kërkojnë nga qeveria që ta ndryshojë këtë vendim, pasi i pengon në veprimtarinë e tyre të përditshme, si dhe ka një kosto jo të vogël financiare.
ARRSH ka vendosur për një afat të pacaktuar që lëvizja drejt aeroportit të realizohet me një kalim, me drejtimin nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaq.
Mjetet që vijnë nga veriu drejt Rinasit, do të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport.
Nga ana tjetër banorët e këtyre fshatrave paralajmërojnë se do të vijojnë me protestat deri në anulimin e këtij vendimi.


“Edhe për këmbësorët nuk ka rrugë këtu. Këtu ndodhin aksidente çdo ditë, shteti nuk bën gjë. Sa herë vijnë votimet kemi kërkuar si për varrezat, si për rrugë, si për çdo gjë, shteti thjesht e ka quajtur Rinas dhe hajd. Këtë kërkojmë dhe ne, vetëm hapjen e rrugës, të kalojnë banorët lirshëm. Do vazhdojmë protestën, nesër mund të nxjerr edhe fëmijët në rrugë”, u shpreh një prej tyre.
Ditën e hënë banorët bllokuan rrugën për rreth një orë. Po ashtu nuk munguan as përplasjet me policinë.
Banorët e Rinasit thonë se nëse nuk hapet rruga deri nesër do të bojkotojnë mësimin. Sabah Muja kryeplak i fshatit tha se ka besim se nesër do të hapet rruga, por në rast të kundër ai tha se s’do të dërgojnë fëmijët në shkollë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




