Sërish tension pranë Rafinerisë së Naftës në Ballsh. Ndërsa sot është dita e 17-të e grevës së urisë, një grup naftëtarësh kanë mundur të shqyejnë kyçin e derës dhe janë futur brenda ambienteve të uzinës.
Kreu i Sindikatës, Sokol Dautaj tha se kompania “doli zbuluar”, pasi aty nuk punon askush nga administrata.
“Këta kanë marrë një urdhër, për të mos i nxjerrë zbuluar, këtu nuk ka privat. Kjo nuk është një protestë e dhunshme, ne jemi këtu për t’u treguar shumë qartë që ky ka qenë një shoë i radhës, nuk ka pronar. Tani nuk ka asnjë zyrë, dera është kyçur”, shprehet Dautaj.
Ndër të tjera, ai thotë se në këtë institucion ka vetëm heshtje.
“Prej një viti në këtë institucion ka vetëm heshtje. Presim një përgjigje nga pronari i uzinës ose nga kryeministri”, tha Sokol Dautaj.
Dautaj shton se kërkojnë takim me kompaninë që administron uzinën.
“Do marrim menaxhimin e terrenit, shteti të vijë të marrë në dorë rafinerinë. Ne presim një përgjigje nga pronari. Nuk është problem të marrim rafinerinë, po të bëjmë një thirrje këtu vijnë 800 naftëtarët. Po bëhet një grevë për t’i thënë pronarit hajde, kur nuk reagon ministrja e Drejtësisë për një gjyq të fituar nga naftëtarët, çfarë duhet t’u bëjmë azerëve”, tha Dautaj.
Naftëtarët thonë se nuk do të heqin dorë nga greva dhe protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Sot është dita e 17-të e grevës së urisë së naftëtarëve, të cilët kërkojnë pagat e prapambetura dhe shprehen se nuk do të dorëzohen deri në zgjidhjen e problemeve ekonomike.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama i pyetur dje për çështjen e naftëtarëve ka thënë se ka të njëjtën përgjigje “që kjo marrëdhënie është një marrëdhënie kapitaliste mes punonjësve dhe kompanisë private. Nuk kemi mekanizma ligjorë për ta zgjidhur, por jemi të angazhuar. Me ndihmën e Zotit nëse do ta zgjidhim, do t’ua themi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




