Lajme

Dita e 16 e grevës/ Naftëtarët përplasen me policinë, tentojnë të hyjnë me forcë në uzinë

Përveç grevës së urisë, e cila ka hyrë në ditën e saj të 16-të, naftëtarët e Ballshit kanë filluar protestat në rrugë.

Ditën e sotme ata janë konfrontuar me policinë, pasi duan të hapen dyert e uzinës. Ata kërkojnë librezat e punës dhe dokumentet.

Nga ana tjetër, policia po përpiqet t’i ndalojë.

“Në ditët në vijim do të jemi më shumë. Do të futemi brenda për të marrë dokumentet dhe librezat e punës”, mësohet të jetë shprehur kreu i Sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj.

Ndërkohë, mjediset e Uzinës ruhen nga policë privatë. Në mbështetje të tyre është vënë edhe Sindikata e Fermerëve të Bashkuar të Shqipërisë.

Kreu i Shoqatës së Fermerëve Eduart Sharka tha se janë në mbrojtje të naftëtarëve dhe se edhe fermerët kanë të njëjtat problematika me ta.

Edhe ditën e djeshme, qindra punonjës të rafinerisë së përpunimit të naftës në Ballsh të mbështetur edhe nga qytetarët, marshuan nga ambientet e grevës deri në hyrje të qytetit të Ballshit ku bllokuan edhe rrugën.

Ata i kanë bërë thirrje kryeministrit të vendit që të vijë dhe t’i japë zgjidhje problemeve të tyre jetësore.

Një pjesë e naftëtarëve grevistë, vazhdojnë të refuzojnë ujin dhe ndihmën mjekësore, pjesa tjetër e naftëtarëve deklarojnë se do të përshkallëzojnë më tepër protestën e tyre në rrugë deri në zgjidhjen e problemeve ekonomike.

Kryeministri Rama i pyetur sot (të martën) për çështjen e naftëtarëve ka thënë se ka të njëjtën përgjigje “që kjo marrëdhënie është një marrëdhënie kapitaliste mes punonjësve dhe kompanisë private. Nuk kemi mekanizma ligjorë për ta zgjidhur, por jemi të angazhuar. Me ndihmën e Zotit nëse do ta zgjidhim, do t’ua themi”.

Naftëtarët e Ballshit protestuan edhe në Tiranë më 17 shtator përpara Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës në Tiranë ku kërkuan nga qeveria të ndërhyjë te kompania menaxhuese e rafinerisë, e cila prej 10 muajsh nuk u ka dhënë pagat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë